
Kur hesht flamuri…
Shkruan: Ali Caka
9 prill është Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Jo një ditë kalendarike e zakonshme po një ditë që na rikujton momentin kur një popull i lodhur nga dhuna, nga mohimi dhe nga robëria vendosi të shkruajë themelet juridike të shtetësisë së vet. Është dita që kërkon respekt, përsiatje dhe përulje të heshtur para vlerave për të cilat u derdh gjaku e u sakrifikuan jetët dhe u qëndrua me këmbë në tokë edhe atëherë kur toka vetë nuk na donte mbi vete.
Mirëpo, ndërsa ecja sot në rrugët e Prishtinës, të qytetit që kurrsesi nuk po bëhet kryeqytet, nuk mund të mos ndaloja përballë një mungese që flet më shumë se çdo fjalim festiv. Flamuri shtetëror mungonte në shumë institucione. Mungonte në ndërtesa, mungonte në vetëdijen tonë kolektive e në heshtjen tonë të bërë zakon. Dita e Kushtetutës kalon ndërsa flamuri i Republikës nuk valëvitet. Hesht sikur të mos kishte asgjë për të thënë.
Pyetja është e thjeshtë po rrëqethëse. A është ngritja e flamurit në festa shtetërore thjesht një dekor protokollar apo një akt i domosdoshëm i përkujtesës dhe i afirmimit të përkatësisë? Nëse ligji nuk e urdhëron në mënyrë eksplicite a e përjashton kjo përgjegjësinë morale? Apo më keq, na jep alibinë për të mos bërë asgjë?
E po, për fat të mirë ose për turp të kujtesës sonë të shkurtër, këtë herë ligji nuk hesht. Ligji Nr. 03/L-038 për Përdorimin e simboleve shtetërore flet qartë e pastër. Në Nenin 7.1 ai thotë se flamuri shtetëror duhet të vendoset në çdo festë zyrtare të Republikës. Dhe nëse ndokush me shpirt praktik e lexon deri në fund, në Nenin 17 e pret edhe një gjobë modeste prej 500 deri në 1000 euro për harresën, për lodhjen apo për vendimin për të mos e vendosur fare flamurin. E megjithatë, për çudi, as gjoba s’po ndihmon që flamuri të dalë nga paketat e pluhurosura. Ndoshta kemi hyrë në epokën kur as ligji nuk bind më, e nderimi për shtetin matet me statusin e mëngjesit.
Ka diçka thellësisht ironike në këtë. Kemi një shtet që lindi nga vuajtja, po që nganjëherë sillet sikur ka lindur nga rastësia. Republika, ky koncept që dikur jehonte në sheshet tona si ëndërr, tash po bëhet një fjalë që e përmendim me automatizëm pa pasion e pa përkushtim dhe pa flamur. Madje as në ditën kur ajo më së shumti ka nevojë të shfaqet para vetes dhe botës.
I kemi kthyer simbolet në zbukurime sezonale dhe ndoshta vetë përvjetorët në rituale që duhen kryer sa për të kaluar radhën. Në vend se të frymëzohemi nga këto data po i lëmë të na lodhin. Në vend se t’i jetojmë si shtet, po sillemi sikur jemi mysafirë të përkohshëm në një eksperiment të zgjatur.
Kjo është arsyeja pse flamuri duhet të valëvitet jo për të qenë thjesht një copë stofi mbi një shtyllë, po për të na kujtuar se kemi një shtet për të cilin duhet të përkujdesemi çdo ditë. Për të na risjellë ndër mend se nuk është mjaft të kemi një Kushtetutë të shkruar nëse nuk kemi një republikë të jetuar.
Le të jetë kjo ditë jo thjesht një përvjetor, po një alarm i butë që thërret ndërgjegjen. Le të jetë një ftesë për tu zgjuar nga përgjumja institucionale dhe për të kuptuar se shteti nuk mbahet me harresë po me vëmendje. Dhe nëse duhet të fillojmë nga një gjë e vogël atëherë le të fillojmë nga flamuri.
Sepse kur flamuri hesht dikush duhet të flasë!
Dhe kur flasim për flamurin nuk flasim vetëm për simbolin, po flasim për gjithë peshën që ai mbart në vetëdijen tonë historike. Te shqiptarët e Kosovës çështja e flamurit është një plagë e mbetur hapur po edhe një mundësi për pajtim me vetveten. Nga njëra anë kemi flamurin kombëtar që na ndjek nga breznitë dhe luftërat, e nga ana tjetër flamurin shtetëror që na fton të ndërtojmë një republikë të gjithë qytetarëve.
Ky dualitet shpesh na ka lënë pezull mes ndjenjës dhe detyrës. Ka institucione që shmangin flamurin shtetëror se nuk u flet shpirtërisht dhe ka qytetarë që ndihen të përjashtuar nga ndjenja kur e shohin të zëvendësohet flamuri kombëtar. Në këtë përplasje të pashprehur ndonjëherë zgjedhim të mos valëvisim asnjërin. Heshtim. Po ky është luks që një shtet në ndërtim nuk mund ta lejojë.
Se respekti për shtetësinë nuk i kundërvihet përkatësisë kombëtare. Përkundrazi e plotëson atë duke krijuar hapësirën ku shtetasi fuqizohet. Dhe kur shtetasi fuqizohet ai vendos drejt, mirë dhe mbarë. Ai është në gjendje të jetë jo vetëm kujdestar i flamurit po edhe bartës i përgjegjësisë për drejtësi, për dinjitet dhe për zhvillim.
Prandaj, flamuri duhet të valëvitet. Edhe kur sytë nuk e ndjejnë si të vetin le ta valëvitim që zemra të mësojë ta përqafojë. Se pa këtë proces të përvetësimit nuk ndërtohet shtet dhe pa shtet nuk ka qytetar që e ndien veten të lirë.
Në fund flamuri nuk është mbi ne po për ne. Dhe nëse sot hesht ai, le të jetë kjo ftesë për ta ngritur me dorën e vetëdijes që nuk harron pse e ka krijuar shtetin. Për të jetuar më me nder si qytetar.
Dhe shtrohet pyetja, se si të na respektojnë të tjerët kur ne nuk e respektojmë vetveten?