KUR HESHTJA NDJEHET ME SY
Duke lexuar librin me të ri me poezi, të autorit Izri Rexha. “Heshtja flet me sy” – Shkrim vlerësues nga Ajet Shala.
Vargu poetik i autorit Izri Rexha në librin më të ri, “Heshtja flet me sy“, në bërthamën e vet ka tri tema kyçe: temën e fëmijëve, temën sociale dhe temën epike. Këto tema janë trajtuar në mënyra të ndryshme, për t’u bashkuar si lulet në një kopsht me shumë llojshmëri ngjyrash. Autori mban vargun real, komunikues, që në të shumtën e rasteve është edhe mesazh këshillëdhënës, për lexuesit e tij të rinj që presin ta kenë në duart e tyre.Poezia e Rexhës është e pasur edhe me figura e metafora, por autori në të shumtën e poezive përdorë edhe rimën apo muzikalitetin e vargut.
Veçanërisht tek poezitë për fëmijë, poezia e Izri Rexhës ka emblemën e edukatës, mirësjelljes, atdheut, ku bukur shpesh vërehet se shkruan edhe për vete, për unin, për bunarin e vjetër, shkollën, vendlindjen, etj.
Autori, fuqishëm nxjerr nga xhepat e zemrës, nostalgjinë për atdheun, rrethin shkollor e shoqëror, por pa harruar asnjëherë mesazhin, apo këshillën, për mirësjelljen. Në fakt vargu i autorit në vete mban edhe një filozofi të lehtë të mendimit pozitiv, për një shoqëri të shëndoshë.
Heshtja flet me sy
Nëse do të besosh i shoqëruar,
Do të ishte mirë të përkujtosh të frikshmen,
Ndryshe besimi do të mbetet i zbehtë…
Të mendosh ndryshimet me të kundërtën e saj,
dhe të mos anosh kah e keqja,
Por nga e mira, kah jeta, perspektiva…
Në vargjet e kësaj poezie të konceptuar si një këshillë apo mesazh, drejtuar lexuesit të tij, me fjalën e thjeshtë por të mirë, të ngrohtë, tek poezia e autorit Rexha zhvillohet një betejë e përhershme mes të mirës dhe të keqes, duke dhënë shembuj e variacione të ndryshme poetike në brumin e vargut.
Vlera artistike e poezisë së autorit mbështetet në bukurinë në të cilën përdor gjuhën si motivacion popullor, d.m.th. vargun e vet e paraqet të thjeshtë, të rrjedhshëm dhe deklarativ.
Shqiponja fluturon në thellësi qielli,
folenë e ndërton vetë mbi brigje,
mbi ndonjë gurë apo në ndonjë degë lisi,
ku fryn era dhe rrezon dielli.
Në librin e Izri Rexhës “Heshtja flet me sy“ ndoshta pak mund të gjejmë vargje përkushtuese, të dashurisë, apo lirika për dashuri, por kjo s’mund të thuhet për lirikat dhe dashurinë prindërore, për babanë dhe nënën. Autori Rexha bën pjesë ndër poetët e rrallë që i bëjnë varg përkushtues babait, pasi që kjo dashuri prindërore është më shpesh e hasur tek poetet që shkruajnë për nënat.
Nostalgji
Kam dashur të shkruaj kaherë për etërit,
edhe më shumë të tregoj për babanë,
që u mishëruan me tokën,
aq shumë rrinte i gatshëm për çdo gjë,
u përkulte në çdo mëngjes,
dhe i falej dheut,
pesë herë në ditë përkulej,
në çdo ditë me plisin e tij të bardhë
lutej për ne,
Tek poezitë me tema sociale, figurat e prindërve tek autori zënë vend të veçantë, sidomos kur përshkruan se si babai mishërohej me tokën dhe i falej dheut, përherë me plisin e bardhë. Në vargun social, pikërisht autori paraqet krenarinë prindërore dhe familjare.
Nëna mbillte një oborr me lule,
asnjë nga ato nuk i shiste,
kujdesej që asnjë lloj
të mos i mungoj,
ajo nuk ua dinte emrat,
por i njihte me gjethe, me petale,
dhe iu falte fqinjëve,
iu falte të gjitha mikeshave,
Përpos temave sociale dhe atyre për fëmijë, tek autori gjejmë disa poezi epike ku autori nxjerrë nga thellësia e xhepave të zemrës, brumin për vuajtjet e atdheut që ndryshe mund të quhen edhe vargje vaji, por përherë duke i lënë vendin kyç krenarisë, ballëlartë si plis bardhë e shqiptarë. Madje në vargjet e poezisë vijuese, autori e paraqet trimërinë përmes personazhit të tij, Osman Taka, i cili kërkon edhe para tytave të pushkatimit, ta lozë një valle, si dëshirën e tij të fundit…
Kur merrte nga lartë
shkëputej po nga toka,
o bobo si e ndalte me maturi këmbën
o bobo si e ndalte me lëvizje dorën,
duke dridhur trupin sikur fitoj loja,
„Se sot po ngazëllehem që vdekja do të vij“,
shikimi sypetrit drejt qiellit drejtohej,
kuptonin të tjerët vendlindjen shqiponjën…
Erërat e forta të stinëve të trazuara shkundin arrat vjeshtake, ku disa prej tyre mund ti thyesh apo hapësh lehtë me dorë, kurse disave duhet futur tehun e briskut, për ti hapur. Pavarësisht mënyrës së hapjes, frutat i kanë bërthamat e njëjta. Brenda tyre është një nostalgji, është një mesazh ndjenje e shqetësimi, është dhimbje, krenari.
Në peizazhet e pikturuara, në poezinë e Izri Rexhës, mbizotërojnë temat sociale, familjare, mësuesi shkolla, nxënësit, fëmijëria, por autori shkundë edhe stinët për të nxjerrë një vizion realist të jetës dhe përditshmërisë. Duke përfshirë edhe temat për atdheun, vuajtjet, persekutimet, tmerret barbare, autori shprehet me vargun e tij tek poezia:
Kur blinim pak bukë.
Ende më sillet në kujtesë,
një përfytyrim,
i djaloshit të uritur, i rreckuem,
që ecte me cope bukë të falur,
me një shpresë për të ardhmen,
dhe nuk e dija se sa e trisht o jetë je,
e ne të mendonim pa të nesërmen,
të ikur në vendet e huaja,
se vdekja ishte ardhë e tmerrt,
dhe godiste pa mëshirë
aty ku i themi atdhe,
kurse ne vriteshim mizorisht,
me pështymen dhe sharjet e armikut,
pse në shtëpi rrinim,
pse nuk flisnim si sllavët.
Vargu poetik i autorit Izri Rexha, brumin e nxjerrë nga konkretja, nga përvoja jetësore nëpër të cilën ka kaluar, duke e bartur peshën e saj të rëndë mbi supet e veta, prandaj edhe shfaqen fuqishëm me një realizëm deklarativ, këshillues, që dalin të veshura me këmishën poetiko-filozofike, në të shumtën e rasteve duke u dhënë rimë dhe melodi poetike.
Ajet Shala
Giubiasco.CH-Dhjetor, 2019