Kur jeni kaq keq të përçarë diaspora nuk ju jep para
Faton Abdullahu
Asgjë nuk e vë në lëvizje diasporën që ta ndihmoj më shumë Kosovën me mjete financiare dhe jo vetëm, sesa kur ajo sheh dhe bindet se përfaqësuesit e popullit, pushtetarët e politikanët në Kosovë, janë bërë bashkë për një të mirë dhe kundër një të keqe. Kështu ka qenë gjithmonë.
Kur diaspora kupton, dhe tashmë ajo e ka kuptuar, se si Qeveria Kurti sot është e çarë në dysh (LV- LDK) dhe asnjë qëndrim nuk është rezultat i bashkëpunimit, kurse shumë nisma e projekte të tjera ngecin si rezultat i përçarjes.
Kur diaspora kupton, dhe tashmë ajo e di mirë, se si edhe perkunder rrezikut kaq te madh nga COVID19, Kryeministri dhe Presidenti jo vetëm që nuk bashkëpunojnë, por përpiqen ta rrëzojnë njëri-tjetrin.
Dhe kur diaspora kupton, e këtë nuk ua fal hiç, se Qeveria Kurti, ka ftohur raportet e Kosovës me mikun tonë më të dobishem, SHBA-në, ajo edhe pse e ka dëshirën, e ka të vështirë, shumë të vështirë të dërgojë para për shtetin në kohën kur ju po mendoni ta njollosni e shkatërroni njëri tjetrin.
Jeni bërë pikë e pesë. Pse ju duhen ndihmat, për ta vazhduar përçarjen. Paraja e diasporës nuk ua shton urtin politike, as patriotizmin që aq shumë po ju mungon. Nëse doni para nga diaspora për fillim së paku flisni me njeri tjetrin dhe behuni bashke.