“Kur kapiteni i Titanikut, njoftoi se; për dy orë e gjysmë, anija do të mbytej, ne u hodhëm në ujë dhe…”/ Historia e panjohur e tre vëllezërve korçarë, që i mbijetuan tragjedisë
Kaloi mbi një shekull nga gjëma mbinjerëzore, që 100 vjet përpara, mori 1517 jetë njerëzish e, sot po merr gjithnjë e më shumë përmasa legjende. Fundosja e Titanikut që konstruktorët e WIHTE STAR LINE e quajtën të pafundosshëm, u fundos, u përmbyt i papërmbytshmi, por legjenda e tij, rri pezull e nuk përmbytet.
Enigma e mbytjes në atë mesnate të errësirtë, mes 14 -15 prillit 1912, s’do të “flasë” kurrë. Ajo do të rrijë pezull e do të stërmundojë kokat e shumë studiuesve, shkencëtarëve, shkrimtarëve, gazetarëve, regjisorëve e do të vërtitet nëpër fundoqeanin, duke u ngurosur. Enigma do të mbetet një mister e do të jetojë nga pavdekësia. Ora e vdekjes e “Titanikut”, u bë dhe ora e lindjes së historisë tragjike të tij, legjenda e tij.
Asnjë copë Titaniku, as i gjithi sikur të nxirret mbi tokë nga fund-oqeani, s’do të “flasë” kurrë, më shumë se ç’kanë folur të 700 të mbijetuarit. Më së shumti, ai do të jetë një muze psherëtimash, dhimbjesh e kureshtjesh, turistësh e vizitorësh. Në atë mesnatë tragjike, u dëgjuan edhe zëra shqiptarësh. Por askush, asnjë qeveri shqiptare, nuk pyeti për 100 vjet me radhë: Kishte a nuk kishte shqiptarë në Titanik. Interesim i ngrirë si lotët e “Lëndinës së Lotëve”!
Në një faqe të njërit prej regjistrave të vjetër të Zyrës së Gjendjes Civile të qytetit të Korçës, gjendet trungu i familjes Tullga, mes të tjerëve edhe emrat e tre vëllezërve: Vangjelit, Kristaqit dhe Thanasit. Të bëjnë përshtypje të dhënat e hollësishme për secilin, gjuhët që flisnin, profesioni – karvanarë dhe së fundi: Larguar në kurbet në Amerikë, më 1912. Siç më tregon Vangjoja, i cili i ka hyrë studimit me hollësi të trungut familjar, e veçanërisht ngjarjes së Titanikut, e cila për dhjetë dekada me radhë, ka qenë prezente në familjen e fisin e tij, mbiemri Tullga, u kishte mbetur nga nofka “tullë”, (“tullkë” në dialektin korçar, (tullgë), sepse burrat e këtij fisi ishin tullacë.
Ata banonin në Malavecin e Sipërm, mbi Dishnicë, fshat që nuk ekziston më, veç murishteve, që koha i ka rrafshuar e fshehur nëntokë. Burrat e këtij fisi, ushtronin profesionin e karvanarit, u shërbenin njerëzve me llandonë e karroca me kuaj, për t’i transportuar nga një vend në një tjetër, por edhe në Maqedoni, Greqi e Bullgari. Ishte koha kur Amerika, kishte ngjallur interes për gjithë botën, por edhe për shqiptarët.
Edhe familja Tullga, vendosi të përcillte në Amerikë tre djemtë, Vangjelin (Gelan) 30 vjeç, Kristaqin (Kicen) 27 vjeç dhe Thanasin (Naskën) 25 vjeç. Të tre të martuar, të tre të fuqishëm, të mësuar me vështirësi e që u hanin duart për punë.
Pasi nxorën “navllot” – (vizat), u nisën nga Korça, nga “Lëndina e Lotëve”, për në Greqi.
Udhërrëfyes u bë Visari ose Viska, siç i thoshin me përkëdheli, i cili ishte fis i Tullgave e, jetonte në Athinë dhe merrej me udhë-rrëfime për mërgimtarë. Pasi kishin ndenjur disa ditë në Pire, i kishte përcjellë tre vëllezërit Tullga, me një vapor grek, për në Ingliterë. Fjalët kishin marrë dhenë, se do të nisej nga Anglia për në Amerikë, një “pamporr” shumë i madh, shumë luksoz, i paparë ndonjëherë, i ri fringo dhe shumë i sigurt. Krenaria e deteve, i thoshin.
Tre vëllezërit Tullga, nuk mund ta humbitnin shansin për të udhëtuar me këtë gjigant. Familja, kur mori vesh se djemtë do të udhëtonin me të, u gëzua pamasë, se u sigurua që ata do të arrinin shëndoshë e mirë, sepse anija ishte e përmbytshme. Kaluan javë e muaj…! Familja Tullga, priste me ankth lajm për mbërritjen e djemve në Amerikë. Pritja u thye në makth, pasi lajmi i zi për mbytjen e Titanikut, kishte pushtuar edhe Shqipërinë. Në shtëpinë e Tullgave, vërtitej një si kob shqetësimi: “Kanë shpëtuar djemtë, vallë”?!
Pas shumë kohësh, mbërriti një letër nga Bostoni. Zarfi nuk ishte rrethuar me shirita të zinj anash, çka do të thoshte se nuk sillte kob. E shkruante vëllai i madh, Gela. Pak a shumë, thoshte: Jemi gjallë. Shpëtuam me ndihmën e të madhit Zot. Kemi parë vdekjen me sy. Kemi zënë punë. Unë dhe Kicja, në një fabrikë emaljoje, Naska, ka hyrë berber në Boston. Mos u bëni merak për ne.
Thanasi, kishte lënë në Shqipëri, gruan, Sofinë dhe një vajzë të vogël. I dërgojnë haber se vajza, nuk ishte mirë…! Ai diçka parandjeu dhe kthehet. Me mbërritjen e tij në shtëpi, rinisi kuja. I kishin vdekur edhe çupa edhe gruaja, Sofia, e cila ishte nga fisi i Beçkave, motra e Nasi Beçkës nga Çifligu. Dhembje mbi dhembje! Plagë mbi plagë. Kishte vdekur edhe nusja e vëllait të mesëm, Kristaqit, që kishte lënë një djalë…!
Rrëfimi i Thanasit: “Si hipëm në një mal prej hekuri”
Rrëfimet e Thanasit, për mesnatën e 14-15 prillit 1912, u bënë ngjarje të ditës në shtëpinë e Tullgave. Kushdo që vinte ta takonte, për krye-shëndoshë apo, t’i uruar mirëseardhjen, do ta pyeste patjetër edhe për tragjedinë e Titanikut Ato rrëfime, kaluan gojë më gojë e, brez pas brezi dhe kanë arritur deri në ditët tona, që Vangjoja, m’i tregon me aq emocion e korrektësi, sikur ta kishte përjetuar vetë atë ngjarje, ndonëse gjyshi i vdiq, kur ai ishte maturant në gjimnaz, në Korçë.
“Im gjysh, Thanas Tullga, – tregon Vangjoja, – kishte një kujtesë fenomenale dhe ishte kureshtar i madh. Ai mbante mend me hollësi, çdo detaj të udhëtimit. Ishte 10 prill 1912, ditë e mërkurë, kur hipën në Titanik, në portin i Southamptonit dhe kishin mbetur gojëhapur, kur e kishin parë.
Nuk ishin përhapur kot llafet se, gjer atëherë, asnjë vapor i tillë madhështor, nuk kishte çarë detet e oqeanet. Ishte i pambytshëm. Ishte si një “mal pe hekuri, sa Morava, një qytet më vete, që voziste në det e deti llamburiste nga dritat e luksi, sa të erreshin sytë e të merreshin mentë”, – tregonte Naska.
Biletat Viska, ua kishte prerë të lira, në Klasin III-të, ku të tërë ishin mërgimtarë, të varfër që shkonin në botën e re për punë. Gjatë udhëtimit, kishin zënë muhabet me ca grekë, se merreshim vesh, pasi dinin greqisht, kurse ca grekë dinin anglisht, se kishin qenë në Amerikë e, bënin për ta edhe përkthyesin.
“Ishte si në një çmendinë ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre”!
E diel, 14 prill 1912. Ora shënoi 23.40 minuta. Duheshin edhe 20 minuta, që të vinte mesnata. Ndërsa udhëtonte në ujërat e ftohta të veriut të Atlantikut, Titaniku u drodh, sikur të goditej nga një mal. Ajzbergu…! Mali i nënujshëm prej akulli, sulmoi pabesisht malin prej hekuri nga poshtë. Sipër, në Klasin I-rë, kishte filluar tmerri. “Ne të Klasit III-të, nuk dinim se ç’bëhej lart, – tregonte Naska. Një përfaqësues i ekuipazhit u kishte dhënë lajmin fatal, që ua kishin përkthyen grekët. Anija për rreth 2 orë e gjysëm fundoset…! Kapideni Eduard Smith, urdhëron braktisjen e saj. Të shpëtojë kush të mundë…”!
Tashmë, kapiteni i madh, Smith, komandonte mbytjen. Ishin ngjitur të tre në kuvertë. Lemerinë që kishin parë, nuk ka gojë ta tregojë as penë ta shkruaj. Skena të çuditshme, plot tmerr e rrëqethje. “Ishte si në një çmendinë, ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre” – kishte thënë Naska…! Vetëm muzikantët, u binin veglave më të qarë. Qanin veglat muzikore, qanin dhe muzikantët, tek përcillnin njerëzit dhe veten e tyre me muzikë, në botën tjetër! Një tmerr!
“Na kishte ikur zëri nga tmerri. Se është e bukur jeta, sidomos kur vdekja të sheh në sy e, ti nuk e afron, thoshte Naska. Na duhej të merrnim një vendim. Dhe e morëm. Të hidheshim të tre në ujë. Si të ishte shkruar nga Zoti. Sido që të jetë puna, duhet të ishim bashkë, pranë njëri-tjetrit, qoftë edhe në fund të oqeanit. Duhet të shpëtonim. Vendimi na jepte forcë e shpresë, për të jetuar. Po si? Pa një mjet lundrimi, në mes të oqeanit?! Pamë rrethe-qark. Tavolina të boshatisura që dridheshin, karrige që rrëshqisnin…!
Kush mund të bëhej mjeti i shpëtimit?! E vendosën…! Hodhën tavolinën, pastaj morën nga një karrige… dhe u hodhëm “fiu” me to, drejt në ujë…! Ulërimat e lemeritë, sikur dilnin nga uji e ngjiteshin në qiell, si një lutje e mallkim. Duke notuar me karrige, iu afruan tavolinës, që kishin hedhur e rrinte mbi ujë. Vumë duart te ajo. Luftonim me vdekjen. Duhet t’i shpëtonim vdekjes. Por vdekja na ndiqte pas. Duhej guxim, trimëri, e fat”.
Ata e përzunë vdekjen, me guximin e moshës edhe të njerëzve të papërkulshëm. Befas, u zë syri një varkë të përmbysur që pluskonte mbi ujë. Sikur panë një fije dritë shpëtimi, të vogël. Iu vunë asaj, bashkë me disa të tjerë dhe e kthyen së mbari. Një varkë e përmbysur, përmbysi përsëri fatin dhe e ktheu drejt jetës. Ajo varkë, u bë shpëtimtarja e mbijetesës. E ngisnin me duar. Iknin që t’i shpëtonin thithjes së vorbullës që do të bënte anija, kur të fundosej plotësisht. Iknin tutje nëpër oqean, pa drejtim, iknin dhe e ftohta e madhe, para vdekjes së akullt, nuk ndihej.
Pas 2 orë e 40 minutash, mali i pabesë prej akulli, e mundi malin prej hekuri…! Kaq kohë iu desh oqeanit, ta gëlltiste atë mal hekuri. Dhe, me që s’e gëlltiste dot menjëherë, e çau më dysh, pastaj, si lëshoi një hungërimë llahtari, sa u drodh oqeani, e përpiu dhe e çoi 2.787 m. thellë. Titaniku kishte “pirë”, brenda mushkërive të tij, 25 milion litra ujë. Dhe mbi të gjitha, aq njerëz sa nuk ishin mbytur kurrë.
Ja pse thoshte Thanas Tuglla, se; “Titanikun” e mbyti qibra!
Thanas Tullga, si sistemoi familjen edhe djalin e Kristaqit, pasi edhe atij i kishte vdekur e shoqja, mori përsëri udhën për në Amerikë. Më 1920-ën, u kthye përsëri në Korçë, u martua me Vangjelinë dhe nuk iku më. Vdiq në Korçë në vitet ’60-të, duke lënë pas fëmijë, nipër e mbesa dhe historinë e jashtëzakonshme të mbijetesës. Shumë e kishin pyetur: përse u mbyt Titaniku?
Dhe ai me logjikën e njeriut të thjeshtë, e ironinë e korçarit, kishte thënë: “E mbyti qibra e fodullëku dhe humbja e toruas…!
Mund të mos kishte vdekur asnjë, po t’i kishin dëgjuar sinjalet e kolegëve të anijeve të tjera, që i lajmëruan me shqetësim, të devijonin rrugën se kishte male me akuj. Mund të kishin vdekur shumë pak njerëz, s’kishte varka dhe ato që ishin, ikën pa u mbushur plot. Në këtë botë, nuk ka të pavdekshëm e të përmbytshëm”. Sot në Amerikë, jetojnë fëmijët e nipërit e mbesat e Kristaqit, njërit prej vëllezërve Tullga.
Ilo Deti, i konfirmuar hershëm si “një shqiptar në Titanik”!
Rreth 20 vjet më parë, tek shihnim në TVSh, në familjen time në Tiranë, filmin “Titaniku” (të vjetrin), nëna vithkuqare Olimbi Stoja, ndërsa s’ia ndante sytë ekranit me një ngulm e kureshtje të pa treguar, përsëriste vazhdimisht me dhembje: I shkreti Ilua i Kovit, paska parë vdekjen me sy”! “I gjori Lui ç’ka hequr”! (I thoshin shkurt amerikanët “Lui”).
Ajo më habiti, kur më tregoi, se në atë; “pamporr të madh që u mbyt”, ishte kushëriri i saj, Ilo Deti nga Vithkuqi. Përmes habisë, kureshtjes e mosbesimit, për javë të tëra, shfrytëzova shtypin e kohës, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, shfletova libra, aq sa munda, por nuk munda ta gjej askund emrin e Ilo Detit, shqiptarit të mbijetuar në tragjedinë e Titanikut.
Por në kontaktet që mora me familjarët e Ilo Detit në Korçë, u binda për të vërtetën dhe botova në vitin 1992, në gazetën “Pasqyra”, ku isha kryeredaktor, shkrimin “Një shqiptar në “Titanik”. Pas meje, shkruan për këtë ngjarje edhe të tjerë, thjesht, duke u rrotulluar pas fakteve që sillte shkrimi “Një shqiptar në Titanik”, por i vetmi që tregoi interes profesional, që ndoqi me këmbëngulje e kureshtje gazetari këtë ngjarje dhe solli edhe fakte të reja, që unë i lashë në mes, ishte gazetari Ferdinand Murati. Por habia vazhdon.
Vetëm yjet e qiellit, mund ta tregojnë atë natë tmerri!
Edhe tri orë të tjera tmerr e lemeri, duke u vërtitur mbi oqean me atë varkë. Hënë nuk kishte. Yjet lëviznin të tmerruar e keq ardhës mbi oqean e shkonin ato skena që s’i kishin parë kurrë. Kalonin kokë më kokë e, puthnin duke qarë për të vdekurit, e gjysëm të vdekurit, por dhe të gjallët, që dridheshin e mbanin kokën drejt qiellit…! Vetëm yjet mund t’i tregojnë të gjitha ato që ndodhën atë natë. Por ata yje, sikur dërguan një mrekulli, një sihariq, se vdekja po mbaronte.
Një anije… anija greke ‘Carpathia’… pas pesë-gjashtë orësh, të sinjalit “SOS”, erdhi në fushë-përmbytjen e fushë-vdekjen për t’i shpëtuar. Kishte dhënë e para sinjalin “SOS”, për zonën me akullnaja, për ajsbergun, por nuk ja kishin varur. U ndanë marinarët trima, si rrufe mbi det, e i mblodhën të vdekurit (ata që mundën), gjysëm të vdekurit e të gjallët bashkë. Vetëm 700 kishin mbijetuar.
Vinin vërdallë, ca varka të vogla e thërrisnin me një si buri: A ka të gjallë…?! A ka njeri të gjallë…?!! Ato thirrje, dhimbjeje e, lutjeje, i përpinte Oqeani…! Pastaj qe nisur në heshtje drejt Amerikës, New Yorkut, me ngarkesën që nuk do ta dëshironte askush dhe me dashurinë e atyre, që ‘Carpathia’ u bë “Perëndia e shpëtimit”. Kishin ardhur pastaj edhe anije të tjera.
Vaporri ‘Carpathia’, pas tre-katër ditësh, më 18 prill, na shpuri në New York, tregonte Naska. Si na rregulluan, na dërguan në Boston, se atje kërkuam vetë. Zumë punë. Qeveria Amerikane, na përkrahu, na dha ndihma edhe shpërblim, të gjithë ne të mbijetuarve, se humbëm gjithçka, por rifituam jetën dhe një histori, që nuk ishte thjesht histori, ishte edhe tragjedi, që do të rrëfehet si legjendë. Memorie.al