KUR KATUNDI BIE NË QYTET

14 janar 2024 | 14:27

Skicë

Shkruan: Ismail Syla

Ai që zbret nga vendi i lindjes dhe vjen të jetojë në periferi të qytetit në varkën e shpërnguljes merr me vete një lopë, ose, në vend të saj dy dele, ose dy kokë dhie. Pulat mund të blehen në pazar, ndërsa një pjesë e oborrit rrotullohet dhe në pranverë mbillet me fara perimesh ose me fidanë të gatshëm. Kopshti vogël mund të jetë i hapur, por edhe i mbuluar me nejon serre. Kur të vie vjeshta drurët bëhen palë palë sipas kulturës nga vjen banori i ri. Disa i bëjnë në varg e dikush në formë të mullarit të sanës.

Me kalimin e kohës periferia dhe trojet përreth nisin të mbushen me shtëpi dhe ardhacakë të rinj. Së pari banori i rënë në qytet e heq lopën, sepse era e bajgës e pengon fqinjin. Me heq, e heq, por jo edhe në ditët, muajt dhe ndoshta vitet e para, ama vjen një çast dhe lopa hiqet. Stalla e vogël e inprovizuar përdoret tashmë për të strehuar lopata, shetër, karroca dore, shkopinj të kopshtit. Ndodh që për disa kohë të përdoret edhe si garazhë e veturës, pasi të heqet dera dhe të zgjerohet ana e pëtpsrme.

Kur vjen koha që të ngrehet përdhesa tjetër, hiqet edhe kpshti, zvogëlohet oborri. Koteci në njërin kënd ende mund të mbajë disa pula, sa për vezë të freskëta. Por, me kalimin e ditëve sikur teprohet edhe me erën e rëndë të glasave të kotecit. Edhe i zoti i shtëpisë po të dojë ta shtyjë edhe ndonjë ditë, fëmijët e rritur e shpejtojnë mbylljen e kotecit, pasi të jenë prerë kokat e pulave dhe ashtu të çpenluara, të kenë përfunduar në frigoriferë me ngrirje të thellë.

Kopshti i mbetur, i zvogëluar dukshëm pushon më të vdekur njëri nga të zot e shtëpisë, zonja ose i zoti. Ngrohja qendrore bën që një ditë më nuk shihet mullari i drurëve në oborr as vargu i gjatë dyfishtë në oborr, ose në pjesën e pasme të shtëpisë. I zoti i shtëpisë veçse ka filluar të rrëshqas në rutinën e punëve të pleqërisë. Shkon në furrë për të blerë bukë. E dërgon nipin ose mbesën në shkollë. Kthehet në shtëpi. Pret. Shkon para shkollës, i merr nipin ose mbesën dhe vjen në shtëpi. Disi e mbyll ditën .

Kur rrëshqet edhe më shumë në rutinën e pleqërisë, nis dhe del në lokalet e lira të qytetit. E kalon kohën me një çaj filteri, ose me një kafe turke, ose me çaj të zi indie a cejloni. E gjen ndonjë moshatar dhe ndërrojnë llafe. Kujtojnë ditë e tyre. Flasin për bukën e furrës që më nuk e ka shijen e asaj bukës së grytë, që t’i shponte hundët, për erën e hallvës që tregonte se në cilën shtëpi po gatuhej, për shijet e mollëve dhe të dardhave që ishte krejt ndryshe nga këto të dyqaneve, që janë pa erë e shije, si të hash plastikë.

– Nuk e di a u prish goja jonë, a çdo gjë u prish, e nuk asht si më parë. – thotë Haruni nga një ish fshat i Gollakut, duke përzer sheqerin e shkrirë moti në gotën e çajit.

– Shenjat e kjametit po vijnë, e nuk po i dimë, – ia pret Murati nga një ish fshat i Drenicës, dhe bën gati monedhat e eurove për të paguar, se orari për ta marrë nipin nga shkolla veçse është afruar.

Prishtinë, 14 janar 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i qytetit bregdetar rus Vladivostok, Oleg Gumenyuk, i cili…