Kur lahutarët u kthyen gjashtë shekuj më vonë

29 qershor 2022 | 09:01

Nga: Bajram Mjeku (fragmente nga eseu “Fituesit e betejës së humbur”)

Dy vjet para shënimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, tirani serb Sllobodan Millosheviq, nisi të ushqente popullin e tij me ide pansllaviste. Më shumë se hija e tij, ai pretendonte të ishte sozia e despotit serb, Lazar Hrebeljanoviq. Nën përcjelljen e Njësisë Speciale dhe Shërbimit të Fshehtë, vizitoi Fushë-Kosovën. Kërcënimi serb nisi po aty.

– Askush nuk guxon t’ju prekë!, – tha tirani i rrethuar nga serbët lokal.

Gjashtëqind vjet më vonë, më saktë më 28 qershor të vitit 1989, serbët provuan çmontimin e të vërtetës historike dhe nisën lojën e fituesit të betejës së humbur. Në përvjetorin e saj, tirani mblodhi mijëra serbë gjashtë milje larg Prishtinës, aty ku është sot lapidari në Gazimestan.

Gazi-mestan? Është emër nga fjala turke “gazi” që do të thotë hero dhe “mestan”, që në persishte ka kuptimin e trimit sypatrembur!

Gazimestani ruan njëfarë mallkimi. Pelegrinët serbë, jo rrallë kanë përfunduar me konflikte e mallkime midis tyre. Pas fjalimeve të prijësve dhe klerit të Kishës Ortodokse serbe, jo rrallë shpërthejnë histeri akuzash për tradhti. Fantazma e Marko Kraljeviqit ende mbështillet aty …

Perandoria Osmane, kremten e fundit për Betejën e Kosovës e organizoi në qershor të vitit 1911. Sulltan Mehmedi i Pestë, aty ku është Tyrbja e Muratit, vizitoi vendin ku ishte vrarë paraardhësi i tij. Në kremte morën pjesë ushtarë e administratorë të Perandorisë, por më shumë se ata, ishin të pranishëm mijëra shqiptarë. Këta të fundit e ndjenin se Perandoria numëronte ditët e fundit, por sundimi i gjatë krijoi ndjesinë e varësisë.

Millosheviq, një komunist me cene diktatori, u zgjodh shef i Republikës së Serbisë një muaj para shënimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës. Si gjithë pararendësit, edhe ai u ngjit në karrierë me mitin për Kosovën. Serbët piketuan shënjestrën. Duke kamufluar dështimin ushtarak në vitin 1389, provuan të argumentonin fitoren politike mbi Kosovën në vitin 1989. Po këtë vit, nisën të ndodhin ngjarje dramatike. Në raport me shqiptarët, serbët kanë paranojë kolektive. Në mendjet e tyre ekzistojnë dy soje shqiptarësh; të ndershëm dhe të pandershëm. Të parët sipas tyre janë shqiptarët kolaboracionistë, më saktë analfabetët. Shqiptarët e pandershëm sipas mendësisë serbe janë shqiptarët e arsimuar. Ata asnjëherë nuk janë bindur se transformimi i shqiptarëve ndodhi përkrah kombeve tjera në Evropë. Kushtrimi dikur hyjnor: “O bini burra se na ra serbi!”, u transformua në tituj gazetash: “Mbani vesh; serbët sërish kërcënojnë ekzistencën tonë!”.

* * *

Histeria e përgatitjeve për kremten e Betejës së Kosovës, u organizua nën patronatin e tiranit Millosheviq dhe Kishës Ortodokse serbe. Politikanë e priftërinj, shkrimtarë e historianë, gazetarë e ordinerë, si të ishin zgjuar nga makthi, ringjallën mitin për Kosovën. Tirani urdhëroi makinerinë e shtetit, që përmes copëzave të gënjeshtrave të disejnonte mozaikun e të “vërtetës” së madhe. Në fantazinë e tij të sëmurë, shpiku atë që ndodhi gjashtë shekuj më parë. Siç Car Lazari në vijën e parë të frontit thuhet të ketë sjellë lahutarë, edhe pasardhësi i tij Millosheviq kërkoi lahutarë gjithandej Serbisë dhe i solli në Kosovë. Gjashtë shekuj pas Betejës së Kosovës, rrugët dhe kafenetë e Prishtinës u mbushën lahutarë! Zërat e zvargur të lahutarëve serbë, thërritnin përgjakje të re. Shteti serb shkoi deri aty sa për të ringjallur shpirtin shovenist, shpërndante gratis pije alkoolike! Dy herë të dehur; nga alkooli dhe nacionalshovenizmi, serbët nisën të lëvizin me armë gjithandej Kosovës. Paralajmëruan hasmëri të dyfishtë; përgjakje me shqiptarët dhe konflikt me perëndimorët.

Mëngjesin e 28 qershorit të vitit 1989, një helikopter i ushtrisë serbe nga Beogradi në qytezën e Obiliqit, solli lidhur për litar monumentin e Millosh Obiliqit. Heroi i tyre, tash nuk kalëronte mbi Kosovë si në këngët epike të lahutarëve serbë, por vinte i derdhur në bronz dhe i varur në helikopter. Po këtë ditë, një turmë tjetër shovenistësh serbë nguliti monumentin e Car Dushanit në Prizren, duke ringjallur ëndrrën makabre për “Serbinë e Vjetër”. Ngulitja e monumentit, ndodhi për t’i provokuar ndjenjat e shqiptarëve, pasi pikërisht në Prizren, fisnikët shqiptarë në qershor të vitit 1878, themeluan Lidhjen e tyre dhe kërkuan autonomi nga Perandoria Osmane.

Tirani u deh para turmës serbe në Gazimestan. Midis ikonave ortodokse e simboleve mesjetare tha:

– Në këtë vend, në zemër të Serbisë para 600 vjetësh ndodhi beteja e madhe. Është e pamundur të thuhet se çka është e vërtetë historike dhe çka është legjendë në Betejën e Kosovës. Kjo më s’ka rëndësi!

Në kremten serbe, merrnin pjesë edhe shefat komunistë të Sllovenisë e Kroacisë. Erdhën t’i shpëtojnë vendet e tyre nga lufta dhe promovimin e saj e “bekuan” në Kosovë. I bën hesapet pa hanxhiun, pasi ishin të parët që ranë në zjarrin e saj. Megjithëse të ftuar, tirani serb i kërcënoi edhe mysafirët:

– Sërish gjendemi në luftëra. Sërish konfrontohemi me beteja të reja!

Derisa Millosheviq kërcënonte Kosovën, një vartës i tij krahasonte Evropën me bishat.

– Ata që na bëjnë presion, le të vijnë këtu të shohin se në këtë vend është ngrënë me lugë të arta, kur evropianët zhvatnin mishin me duar!

Udhëheqja serbe kuptoi se në çështjen e Kosovës, nuk do të qëndronin duarkryq Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Babai i kombit” serb Dobrica Qosiq, në ditarin e tij “Koha e gjarpërinjve” i referohej shqiptarëve: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar e bëri aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të arsimuar ballkanik, popullit serb!”.

Në Kosovë, ende vërtiten fantazmat e car llazarëve e marko kraljeviqëve. Turmat ende ngrejnë kokën në Gazimestan dhe ende vazhdojnë thirrjet për përgjakje të reja. Kosova është e pavarur, por serbët ende nuk e kanë shuar ëndrrën për rikthim…

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Dorian Koçi Gjatë pushtimit osman, sidomos në Rilindjen Kombëtare,…