Kur mësuesin e varrosin bashkëluftëtarët
Ismail Syla
Janë disa njerëz që zoti me kohë i krijon të vyer. Me kohë i pjek dhe nuk ka asgjë të paparashikueshme në jetën e tyre. I tillë ishte Maliq Vilaku, nga Komorani, mësues me profesion, arsimtar deri në përfundim të luftës më 1999.
E njoha që nga fëmijëria e ime e hershme. Mësues. Trup mesatar, pa asnjë kilogram të tepërt, pedant, gjithmonë i krehur mirë, ai çdo ditë shkolle e përshkonte rrugën prej lagjes Vilaku nëpër Kizharekë deri në shkollën fillore “Bajram Curri” të Nekofcit. I përkiste brezit të mësuesve që me energji dhe vullnet të pashoq po kontribuonin në emancipimin e rinisë shkollore rurale, në vitet 1970-ta. Nëse do të kishte katalog me tipare të mësuesit, arsimtarit dhe pedagogut tipik, një i tillë do të ishte Maliq Vilaku, që tërë kohë e para luftës e kaloi si mësues në Nekofc dhe Kizharekë. Kam pasur fatin që ta kem mësues për dy vjet me radhë në Nekofc.
Maliqi ishte nga ata njerëz që nuk pajtohen vetëm me librin, gazetën dhe lajmet nga transistori. Ai ishte i vyeshëm dhe i papërtueshëm. Nuk pajtohej që të jetohet me kufizime e mungesa. Jo. Mungesën dhe të jetuarit keq nuk e kishte në mendje. Me vullnetin për jetë, me duart e tij me talentin e tij, Maliqi nuk u ndal asnjëherë. Theu dembelinë e trashëguar se botën “kështu e gjetëm dhe kështu do ta lëmë”. Mbolli pemë. I bindi të gjithë përreth se në tokën e tyre “bëhen pemët.” Solli ujin nga një krua në grykën që shpie drejt malit të Gradinës në kohën kur çdo gjë punohej me kazmë, kur tubat e plastikës ishin të shtrenjtë. Por Maliqi nuk pajtohej ne realitetin, aq më pak me të që kish mundësi ta punonte dora dhe djersa e tij.
Duke qenë një mësues i ri dhe i bukur, Maliqi mori nusen nga Kizhareka, Fatimen, njërën nga vajzat më të bukura të fshatit. Nuk është as film me happy end, as romancë, as përfundim klishe i përrallës, por e them me bindje të plotë se mësuesi Maliq dhe Fatimja ishin me siguri nga çiftet e rralla bashkëshortore të kësaj ane që kaluan një jetë të lumtur. Të bazuar në punë, në kujdes, kursime dhe disiplinë. Ndërtimi i shtëpisë me tulla, para lufte, e kishin bërë pa asnjë argat dhe dorë mjeshtri jashtë shtëpisë. Fatimja, përpos amvisërisë, kishte ndihmuar që nga qerpiçët e bërë tulla e deri te çdo punë tjetër.
Gjatë tërë kohës si mësues, Maliqi ka qenë i lidhur me disa nga veprimtarët e jetës klandestine që ishin organizuar për demaskimin e lirisë jugosllave, vëllazërim bashkimit. Si mësues ai qe në lidhje të vazhdueshme me Gani Sylajn, Xheladin Gashin dhe Azem Sylajn. Azem Sylaj kishte gjetur strehë të sigurt në shtëpinë e Maliqit sa herë vinte fshehtas në Kosovë në vitet 1991 e tutje.
Dalja hapur e UÇK-së më 1998 Maliqin e gjeti të veshur me uniformë ushtarake. E kam parë me sytë e mi sa i vendosur dhe trim ishte Maliq Vilaku. Ai që tërë kohën ka qenë i butë me fqinj dhe me një rreth njerëzish problematikë, trimërinë dhe vendosmërinë e tij e shpalosi në kohën e ofensivave serbe mbi pozicionet e UÇK-së. Sulmet mbi pozicionet e UÇK-së i përballoi me durim. Periudhën e ristrukturimit të njësiteve të UÇK-së, e përballoi po ashtu me durim. Edhe pëshpëritjet anti-UÇK, luftën speciale kundër UÇK-së nga elementi desktruktiv, që nuk mungoi të jetë aktiv edhe gjatë viteve të rënda të luftës, Maliq Vilaku i përballoi me sukses. “Mos kujtoni që po zhbëhet UÇK-ja” – ua bënte shumë të qartë defetistëve, pas thyerjes së Grykës së Llapushnikut. Dhe doli e tija.
Sot, e shtune, 8 dhjetor 2018, kur po zhvillohej ceremonia e varrimit të tij, moti ishte tipik dimëror, por pa borë. Një kamion i FSK-së e solli trupin e tij në oborrin e shkollës. Nga një furgon i FSK-së dolën ushtarë, të cilët e bartën trupin e tij në sallën e fizkulturës së shkollës. Nderimet më të mira ia bënë pjesëtarët e njësiteve të UÇK-së në kuadër të Brigadës 121, në krye me oficerin Ajet Kastrati. Pas njëzet vjetësh ata duken ndryshe, por vdekja e veteranit Maliq Vilaku i ka bashkuar. Në ceremoninë e varrimit shoh shumë bashkëvendës të Maliqit, të anës sonë. Pjesëmarrja është e mjaftueshme për të treguar se Maliq Vilaku ishte një veteran i respektueshëm. Ishte një mësues tipik. E të mos flasim për të si njeri, si mik, si koleg, si prind, si gjysh. Më pëlqen fakti që familja e tij edhe në vdekje gjen forcë dhe modesti. Pak po të insistonin, Maliqi do të meritonte të varrosej në kompleksin e varrezave në Kleçkë.
Vdekja nuk pyet se kur duhet ta zërë njeriun. Trupi i Maliqi qëndroi mbi tokë një ditë më tepër për ta pritur ardhjen e një djali të tij nga SHBA-ja. Mbi pllajën e vogël të varrezës fryn një erë. Arkivoli me trupin e Maliqit mbulohet me dheun e tokës së tij. Varroset nga familjarët dhe bashkëluftëtarët e tij. Në raste të motit të ftohtë çehrja e njerëzve ka një dukje të dyfishtë: përpos maskës së pikëllimit, aty duket edhe ajo që shkakton ftohma dimërore. Kjo e fundit disa fytyra i bënte edhe më maskë, sidomos tek ata që tërë jetën në ADN-në e tyre e kanë të programuar që t’ ua vështirësojnë jetën njerëzve të ndershëm dhe parimor siç, ishte Maliq Vilaku.
Me të dalë nga varreza, një bashkëluftëtar i tij e tha: po shkojnë veteranët, shkoi Aliu, Jusufi, Burimi, Maliqi…
I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes!
Komoran, 8 dhjetor 2018