Kur një shoqëri fillon të ketë frikë nga poetët e vet…
Lenore Kandel
Kur një shoqëri fillon të ketë frikë nga poetët e vet, kjo do të thotë se ka frikë nga vetja
Poezia nuk komprometohet kurrë. Është manifestimi – përkthim i një vizioni, një ndriçim, një përvojë. Nëse bëni kompromis, bëheni një profet i verbër.
Nuk ka kuptim sot në atë poezi që ekziston vetëm si një detyrë e ushtrimit. Teknika është e nevojshme për aq kohë sa shërben si një mami e aftë për qartësi, bukuri, vizion.
Kur dashurohet me veten, ajo prodhon masturbim verbal. Poezitë që unë shkruaj kanë të bëjnë me të gjitha aspektet e krijesës dhe të atij universi total përmes të cilit lëviz. Qëllimi është të rritet ndërgjegjësimi. Kjo mund të jetë vetëdije për mënyrën se si një zog shpërthen qiellin me fluturimin e tij ose vetëdijen për vështirësinë dhe nevojën për besim ose vetëdije për dëshirën për vetëdijen, madje edhe për frikën e vetëdijes. Dhe kjo mund të arrihet përmes bukurisë ose tronditjes ose të qeshurës, por drejtimi është gjithnjë drejt një pamje të qartë, të brendshme dhe të jashtme.
Kjo kërkon ndershmëri brenda poetit dhe poezisë. Një i sinqertë, nganjëherë i gëzuar, ndonjëherë i dhimbshëm, drejtuar vetë poetit ose lexuesit ose të dyve. Dy nga poezitë e mia, të botuara në një libër të vogël, kanë të bëjnë me dashurinë fizike dhe thirrjen, njohjen dhe pranimin e hyjnisë te njeriu përmes mediumit të dashurisë fizike. Me fjalë të tjera, është kënaqësi. Një kënaqësi kaq e madhe sa ju bën të aftë të dilni nga vetja juaj private dhe të merrni pjesë në hirin e universit. Ky formulim i thjeshtë dhe mjaft i dukshëm, i zgjeruar dhe i ilustruar poetikisht, ka ngritur një tërbim të vështirë për t’u besuar. Pjesa më e madhe e këtij tërbimi ishte për shkak të përdorimit poetik të fjalëve të caktuara të katër shkronjave me origjinë anglosaksone, të cilat nuk u zëvendësuan me gufemizma më delikate.
Nga këtu arrijmë te pyetja e gjuhës poetike.
E gjithë ajo që është gjuhë, është gjuhë poetike dhe nëse fjala e kërkuar nga poeti nuk ekziston në gjuhën e njohur për të, atëherë i takon atij ta zbulojë. Kushti i vetëm kufizues mund të jetë që fjala është e sakta që kërkohet nga poezia dhe vetëm poeti mund të jetë gjykatësi i fundit i saj. Eufemizmat e zgjedhur nga frika janë një pakt me hipokrizinë dhe në afatin e menjëhershëm ata do ta shkatërrojnë poezinë dhe përfundimisht dhe do ta shkatërrojnë poetin.
Çdo formë e censurës, mendore, morale, emocionale ose fizike, qoftë nga brenda apo nga jashtë, është një pengesë kundër vetëdijes. Poezia është e gjallë sepse është një medium vizioni dhe përvoje. Nuk është domosdoshmërisht e këndshme. Nuk është domosdoshmërisht e padëmshme.
Poezia doli nga një klasë e shkollës, pastaj shkoi në rrugë dhe kështu prodhoi një rrjedhë të palmave të kryqëzuara, të cilat dhanë shumë fruta jetike si për poezinë ashtu edhe për shkollën. Bota akademike donte të gjeneronte frikën në shkeljen e kodit, duke ofenduar dikë. Vizionet dhe gjuha shpesh bëheshin më të vogla, të mbytura nga një shurdhëri. Një poezi pastaj bëhej shpeshherë mjet për gjimnastikën letrare.
Poezia e rrugës shmang kurthin e frikës, por shumë shpesh ajo humb vizionet e veta për mungesë qartësie, për ngurtësi, për mungesë arti si profesion. Poezia që është poezi nuk ka nevojë të klasifikohet sipas dy kutive të përshkruara më lart e as në ndonjë mënyrë tjetër. Nuk mund të ekzistojë në shoqërinë e censurës. Nëse një poet censuron vizionin e tij ai nuk thotë më të vërtetën kur e sheh atë. Nëse censuron gjuhën në një poezi, ai nuk përdor ato fjalë që për të janë fjalët më të përsosura që ai duhet t’i përdorë. Ky vetëplanifikim krijon një kufizim artificial të imponuar ndaj një arti, drejtimi i të cilit është përtej kufijve të mundshëm. Nuk ka pengesa për poezinë apo profecinë. Për nga natyra e tyre ato shkelin çdo pengesë, ato janë qëllime perceptimi, linja drejt pafundësisë. Nëse një poet gënjen mbi vizionin e tij, ai gënjen mbi veten dhe për veten e tij dhe kjo prodhon një pengesë të vërtetë. Kur një poet, për oportunizëm, diktuar nga frika, përdor një gjuhë të ndryshme nga ajo që është e përsosur për një poezi, ai bëhet person me oportunizëm të frikshëm. Kur një agjent i jashtëm merr përsipër detyrën e censurimit të poezisë, kjo nënkupton censurimin e pranimit të së vërtetës dhe kërcimin drejt zbulimit.
Kur një shoqëri fillon të ketë frikë nga poetët e vet, kjo do të thotë se ka frikë nga vetja. Një shoqëri që ka frikë nga vetvetja është një mënyrë tjetër për ta përcaktuar ferrin. Një poezi pasi është shkruar dhe botuar është në dispozicion për ata që vendosin ta lexojnë atë. Sipas mendimit tim, kjo nënkupton një përgjegjësi të thellë nga ana e poetit, i cili thotë të vërtetën ashtu siç ai e sheh. Lëreni ta thotë me gjithë bukurinë, aftësinë për të befasuar, për të cilën është i zoti; të shkaktojë ndjenjën e tij për çudi; të përdorë alkimi brenda gjuhës – këto janë forma dhe ekzistenca e vet poezisë.
Publiku i poezisë moderne është kryesisht i ri. Të lëvizim në një botë ku polaritetet dhe mundësitë e jetës dhe vdekjes ekzistojnë si një prani e vazhdueshme e vetëdijes. Pasi koncepti dhe fizibiliteti i mbingarkesës, madje edhe i potencialit të tepërt shkatërrues, është bërë i njohur për të gjithë, aura e mundësisë së një vdekjeje kozmike është bërë e dukshme. Ishin epokat kur të rinjtë mund të rrëshqitnin butësisht në jetën e tyre si pleq e, nëse donin t’i injoronin problemet më të thella të njerëzimit, të marrëdhënies së njeriut me njeriun, kjo u lehtësohej atyre. Epoka jonë sigurisht që nuk është një nga ato dhe zgjedhjet e të rinjve janë të thella dhe të vështira. Nën tetëmbëdhjetë vjeç djemtë duhet të vendosin nëse do t’i përkushtohen kalimit kombëtar të vdekjes. Shumë nga ata, në vend se ta pranojnë botën e luftës dhe dëshpërimit personal që u propozohet atyre nga shumica e të pjekurve, zgjedhin të manifestojnë një mënyrë të ndryshme të jetës, të motivuar drejt kënaqësisë, drejt ndriçimit dhe vëmendjes së ndërsjellë.
Këto janë zgjedhje të vështira për t’u bërë, të cilat nuk lejojnë ikje. Ata që lexojnë poezinë moderne e bëjnë për kënaqësi, për ta njohur më thellë, ndonjëherë edhe për të gjetur këshilla. Dhe më së paku që mund të presin është se poeti që ndan vizionet dhe përvojat e tij me ta, e bën këtë pa hipokrizi. Bërja e kompromiseve në poezi nga frika nënkupton atrofizimin e psikikës. Kompromisi për oportunizëm në poezi është kapësja* e vogël vrasëse e shpirtit.
(Përktheu: Leonora Buçinca. Marrë nga numri i shtatë i revistës “Akademia”)