
Kur përfundon numërimi i votave? KQZ jep detajet e fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë lajmet më të fundit nga verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas zëdhënësit Valmir Elezi deri në numërimin përfundimtar duhet të pritet edhe për numërimin e votave me kusht, të diasporës, si dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja duhet të të bëjë numërim e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora”.
Elezi tutje ka treguar se 12 mijë e 801 vota me kusht do të verifikohen dhe më pas numërohen.
“Votimi me kusht dhe atyre i personave me nevoja të veçanta, numri i zarfeve me fletëvotime nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597”, ka thënë ai.
Ai tha se deri më tani janë aprovuar 26 mijë pako me fletëvotime nga votimi me postë teksa janë refuzuar 2 mijë sosh.
“Është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës , respektivisht nga votimi përmes postës. Nga data 9 shkurt kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, këtij procesi i janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako, prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13 ndërsa janë refuzuar 2 mijë e 57. Arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa postare, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se një herë”, ka thënë Elezi.