Kur plaga mbushet me dritë

26 mars 2024 | 09:09

Fatbardh Amursi

Nga Zvicra, poetesha Drita Ademi më nis një mesazh: “Do të isha e lumtur sikur të shkruanit diçka rreth poezisë sime.” Nuk ndodh që dikush të trokasë në portën time dhe unë të mos e hap por, kur ulem të lexoj, autorin e lë pas dere, qoftë kjo dhe një zonjë. A thuhet që autori e lë veten në libër? Të shohim: a ndodh kjo me Drita Ademin? Që në titull: “Me kend fola” të shtyn kurioziteti se për kë bëhet fjalë apo është një vegim? Kjo ndjesi të përforcohet edhe nga vargu: “tana dyert i ka me dry”. Mos po futesh në një shtëpi të braktisur apo autores po i pëlqen të duket hermetike? Kërshëria është dukuri e artit. “Ka shumë kohë që jetoj n’dhomën e tij./Bisedoj me ajrin që e ka lanë/Ndigjoj muzikën që e ka shkrue./Perdet valviten si flamur prej tymit t’cigares t’mbramë./I mbledh skicat mureve që i ka shkrue,/Ndërtoj fantazi;/Ulem afër tavolinës/Ia puth’ dorën./Ai më përkëdhel,/Hesht!/Pastaj pyes vedin:/Me kend fola?” Ka vetëm lëvizje pa zë. Të duket si një komunikim në al di la. Mysafiri i orëve të vona është i zoti i shtëpisë, ardhur prej qiellit. S`është fantazmë, se po të ishte e tillë, do të largohej sapo të dëgjohej dhe kënga e gjelave. Kureshtja rritet. Si lexues kupton se je duke përjetuar një dashuri postmortume, ku shpirtit i mungon trupi. Ndërton fantazi, i puth dorën dhe ai e përkëdhel, se s`do të ndjehet vejushë, se s`do të pranojë humbjen. Dhe ky komunikim ndodh vetëm atëherë, kur vargjet shkruhen me shpirt. “Nisi e shkruej ca fjalë gjergjefi,/Fjalë që s’më kthejnë te ti kurrë” nuk do ta mashtrojë veten me vegime, ndaj nis e ndërgjegjësohet për humbjen: “Kangët që i kam këndue nuk i due ma./As tabletat e gjumit./As fotografitë nëpër mure./Nuk i due as librat,/As shpinë.” (Të duket sikur je në shtëpinë e të vdekurve të Dostojevskit.) Një shpirt i rrënuar, që po i dorëzohet fatit. Sapo ty të vjen në mend fataliteti, mbërrin vargu: “Plaga që dhemb asht mbushun me dritë.” Ndoshta ligji i kompesimit qetëson më shumë nga ripërtëritja. Për të krijuar tjetër atmosferë shpejtojnë të vijnë vargjet: “Dashunia e bukur, n’krah zogjsh don me fjetë.” Zogjtë janë të vetmit lajmëtarë që lidhin tokën me qiellin. Qielli mund të shihet dhe nga grykë e pusit. A mos është më mirë, që në pus të shohësh fytyrën tënde? “Këpucët, ah këpucët e mia/Sillen n’mue/Asnjëherë nuk i le para dere/Gjithmonë i marr me vete/Një ditë do t’fluturojnë/Nga trupi jem me magji/Dikush do t’ju thurë lavde/Në ndonji poezi.” Më shumë nga fluturimi, asaj i duhet ecja. S`ka pse këpucët t`i këmbej me flatrat. S`duhet t`i këpusë fijet me botën e madhe. Filli i Arianës nuk është si Qimja e Pejgamerit. “Qysh n’moshë t’re e kam pa botën ftohtë./Veç qielli m’bante t’lumtun.” Lidhja me qiellin qysh në moshë të re, duhet përjetuar veçse poetikisht dhe jo si çartje. Jo si dorëzim para fatit, përderisa: “Mbledh dëshira, dhimbje, vuajtje në nji sanduk prej kohës,/Dhe shkruej në eshtrat e mi, në gjakun tem,/Statujën e njerëzimit.” I jemi larguar shtëpisë ku ka rënë zia, kur “shkruante ca fjalë gjergjefi” dhe bota e madhe ia bën me dorë ta ndjek. Me sa duket nga qielli ka zbritur Pegasi dhe e shtyn ta çojë deri në fund misionin e poetit. Se poeti asnjëherë s`është i tëri i vetes. Fill pas këtij momenti shfaqet një gjendje tjetër dhe t`i i gëzohesh: “Nji ditë do t’kthehem të marr hak për ikjet e mia,/për pajen teme t’braktisun,/për emnin që ma patën vra,/për njomësinë e dhimbës,/për lëkurën teme ku përtrihen mitet./Nji ditë do të kthehem të marr hak me poezinë.” Një hakmarrje si kjo merr dhe bekimin e zotit. Rishfaqet dashuria e hershme: “Unë herët u ngatërrova me librat./A ka ken fat a fatkeqësi/Ende nuk e di.” Vazhdojnë ta ndjekin dilemat, por plagët mbushen me dritë. Gjen forca dhe shkruan dhe vetë një libër poetik plot dhimbje, trishtim dhe shpresë. Dekori nis e gjallërohet: “N’dhomën teme ka gjana t’vjetra/Shiringa t’kaluem afati/Ilaçe për zemër veshka e krye”, por: “Ka lule t’pluhnosuna që kanë lulue.” Si në një reaksion zinxhir nis e ndryshon dhe peisazhi: “U zhveshën drunjtë si burrat nga xhelozia” dhe: “I vuna bylyzyk nji metafore”. Ky byzylyk mbi një metaforë është stolia e vetme e gjithë librit. Më tej shkruan se ka vra arratinë, zogjtë nji nga nji, egërsinë, hanën padashje, “Ku nuk vdiq një tjetër/Por vdiqa unë.” Kthehemi kështu tek vargjet e Azem Shkrelit se poeti duhet të lindë në çdo fjalë e varg, sikurse duhet të vdesë në çdo fjalë e varg. Dhe në fund kupto: poetesha është duke folur me ty, lexues, jo për të marrë keqardhje për shkak të fatkeqësisë, por nderim kundrejt artit të poezisë.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pjesë e urës Francis Scott Key në Baltimore të…