Kur qeveriset me oligarkë rezultatet janë të dobëta
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka thënë se nuk heq dorë nga deklarata e tij për shembjen e teatrit në Tiranë, pas komenteve të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili, në një debat televiziv, kur u pyet si i komenton deklaratat e Abazit për shembjen e teatrit, tha se e nuk njeh atë dhe nuk i bëjnë përshtypje deklarimet e tij.
Abazi në një intervistë për Ekonomia Online fajësoi Ramën se po qeveris me oligarkët, kurse deklaratën e kryeministrit Rama e quajti tentim për t’i ikur debatit për demokracinë. “Kam dëgjuar me kujdes dhe i kam përcjell deklaratat e kryeministrit Rama. E para, kur themi jemi një s’e ka një kuptim. Shqiptarët këndej kufirit e andej kufirit janë të ndarë, por nuk do të thotë se nuk mund të bashkëpunojnë e bashkëndërtojmë. Deklarata ime ka qenë si një njeri që i njeh mirë zhvillimet rreth teatrit meqë dy vjet e gjysme që lëvizja për mbrojtjen e teatrit kanë qenë aktive dhe kam qëndruar disa herë atje. Kam parë disa shfaqje në atë teatër”, ka thënë ai.
Më tej, Abazi ritheksoi vlerën e teatrit për kombin shqiptar, i ndërtuar me qindra vite e që, sipas ti, shembja do të ishte e pranueshme vetëm nëse do të ndërtohej një konsensus me qytetarët ashtu siç është e shkruar edhe me referendum. “Ajo është një vlerë e gjithë kombit shqiptar ku është derdhur djersë dhe është ndërtuar vlerë për të gjithë ne. Shembja do të ishte e pranueshme vetëm kur të ndërtohet një konsensus me qytetarët për të diskutuar sepse në fund qeveritë janë të përkohshme, kurse populli e qytetarët janë të përhershëm. Ne marrim mandat qeveritar në emër të programit qeverisës, por nuk shembim ndërtesat e vlerat që janë ndërtuar qindra vite e as nuk marrim vendime të vetme”, ka shprehur mendimin Abazi.
Më tej, zëvendëskryeministri thotë se këto vendime vijnë si rezultat i mosqeverisjes me qytetarët, por me oligarkët e me interesa të veçanta. “Ai sikurse ka tentuar shmangi nga debati i rëndësishëm për demokracinë që mungon në Shqipëri, Kosovë e gjithandej në Ballkan. Kjo është arsye se pse kemi rezultate të dobëta të qeverisjes sepse po qeverisim pa qytetarët, por me oligarkët e me interesa të veçanta. Unë nuk tërheqim nga deklarata që kam shkruar sepse është e qartë se kemi shumicë të varfër e pakicë të pasur nga tranzicione të dhimbshme që kanë kaluar vendet tona”, ka shtuar Abazi. Mes të tjerash, Abazi ka folur edhe për protestat që janë mbajtur në Tiranë pas shembjes së teatrit për të cilat ka thënë janë instrument demokratik sa herë që qeveria shkel të drejtat për t’u dëgjuar përbrenda politikëbërjes. “Protesta është instrument demokratik sa herë që qeveria shkel të drejtat për t’u dëgjuar përbrenda politikëbërjes. Nuk ka demokraci të shëndosh nëse nuk kemi qytetari aktive e cila gjatë gjithë kohës duhet ta mbajë në transparencë të plotë vendimin e institucioneve të veta”, është shprehur Abazi.