Kur Ramiz Alia u “konvertua” në demokrat: Me zjarr mësova vargjet e Fishtës!
Nga: Frano Kulli
Në të vërtetë, unë nuk e kisha pasur ditë, ose ndoshta e kisha harruar se edhe Ramiz Alia paska pasur porositë me e botue veprën e Fishtës.
Kjo paska pasë ndodhë në vitin e largët ’91, kur udhëheqësi qe konvertuar nga besimi fundamentalist komunist – i pari i sekretarëve të Partisë, në President i Republikës Demokratike. Na e kujtoi “Zëri i Popullit” në numrin e 25 tetorit 1990. Kronika e kohës: … veprimtari e organizuar me vargjet e poetit Gjergj Fishta nga shoqëria që mban emrin e tij në Shkodër, në bashkëpunim me aktorët e teatrit “Migjeni”.
Mes të ftuarve të tjerë dashamirës të poetit, anëtarë të shoqatës së shkrimtarëve e intelektualëve, në këtë veprimtari erdhi edhe Presidenti i Republikës, Ramiz Alia. Dhe, ai erdhi thjesht për të nderuar kujtimin e poetit e vendlindjen e tij, ku siç tha shoku Ramiz, mësova me zjarr vargjet e poetit dhe ndërsa aktorët recitonin, më kujtoheshin të gjitha, sepse Fishta ka fuqinë dhe fisnikërinë edhe pas pesë dekadash të rizgjohet i fuqishëm në mendjet e njerëzve. E, kronika vijon: Fishta e meritonte këtë veprimtari të bukur – tha shoku Ramiz. Ai ishte një artist i madh. Idetë e tij janë me vlera të mëdha politike e atdhetare. Ato i shërbyen atëherë, por edhe sot më shumë i shërbejnë kombit. Më pas, studiuesi (i ndjerë) Ferdinand Leka i drejtohet Presidentit: Vepra e Fishtës duhet botuar e plotë, pastaj njerëzit t’i shohin vetë vlerat e saj. Porse shoku Ramiz e “tejkalon” studiuesin e dashuruar gjithë jetën me Fishtën e i mëkuar që në fëmijërinë e vet me veprën e tij. Fishta duhet botuar i gjithi, e tërë vepra e tij madhore – thotë vetë ai. Është gabuar që nuk është botuar deri tani. Këtu kronika mbyllet … Për të mos u hapur më.
I pari dhe i fundit president që ka sugjeruar botimin e veprës së Fishtës paska qenë presidenti komunist. Bash ai, i cili bashkë me pararendësin e tij e kishin rroposë shtatë pash nën dhé Fishtën dhe veprën e tij, për të mos u kujtuar e përmendur kurrë. Asnjë president shqiptar më pas nuk e ka zënë në gojë veprën e Fishtës. 21 vjet më vonë, me 2002, njëri prej tyre, z. Alfred Moisiu, i ka dekretuar titullin “Nderi i Kombit” Fishtës … (62 vjet më vonë, mbasi ai e kishte mbyllur me nder si askush tjetër jetën e këtushme në dobi të kombit të vet). Asnjë ministër Kulture i 33 vjetëve të pasregjimit nuk e ka përmendur botimin e veprës së Fishtës e jo më të hartojë ndonjë projekt. Asnjë ministër Arsimi i 33 vjetëve nuk ka hartuar, madje as përmend ndonjë projekt që vepra e Fishtës të mësohej në shkollat e Shqipërisë. Gjithfarë autorësh e librash letrare kanë hyrë në listat e pasurimit të bibliotekave të shkollave të Shqipërisë në 33 vjet, porse Fishta jo. (Përveç disa kolanave të veprës së plotë që ka tërhequr Drejtoria Rajonale Arsimore e Lezhës, sivjet. Nderim e respekt.) Gjithçka më pas është sipërmarrje pasioni e dashamirësve të Fishtës së madh, pa asnjë përkrahje nga shteti.
Sipërmarrja e parë dhe më serioze zyrtare për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve Shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma pati zënë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provincialit të Françeskanëve në Shkodër, At Anton Harapi.
Letra fillon me: I dashuni shok. Sikurse kemi nda në mbledhjen e përgjithshme mbajtun me 21 shtatuer k.v. (të këtij viti), në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ia nisim veprimit për botim të “Opera Omnia” (vepra e plotë) të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe anëtar i Institutit tonë. Në korrespondencën e mëpasshme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: Të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue përfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet sipas planit që ka lanë vetë auktori: I. Sociologji; II. Polemikë; III. Ligjirata; IV. Miscellanea (të përziera). Në mbarim do të shtohet epistolari …