Kur Sadija rrëfente për Dritëro Agollin
“Dritëroi kishte gjetur tregimet e mia dhe i kishte mbledhur në një dosje. Disa reportazhe që kisha shkruar për artistë të kinemasë e teatrit, i kishte mbledhur e thoshte se do vijë koha do t’i botosh. Unë kam qenë edhe bashkëshortja dhe redaktorja e tij. I kam lexuar dhe i kam kaluar të gjitha nëpër duart e mia”.
Në këtë intervistë të fundit për Top Channel, Sadije Agolli, ndër të tjera, tha se ishte duke punuar në lidhje me botimin e librit me kujtime nga personalitete të ndryshme për shkrimtarin Dritëro Agolli.
Ja se çfarë shkruante ajo në ditarin e saj më 3 janar të 2013:
“Ja tani, ora 9.39 fola me Lonën gjerë e gjatë për librin, që mendojmë të botojmë për Dritëroin, me kujtime të miqve, të shokëve, të kolegëve, të bashkëpunëtorëve, që e kanë njohur. Do të jetë libër i vështirë, sidomos për mua që hyra në vitin 77”.
Ky ishte një libër si një ëndërr e prerë. Ajo nuk mundi ta shihte dot ëndrrën e botimit. Megjithatë libri u botua. Në këto kujtime ka skica dhe dorëshkrime të Dritëroit që i ka ruajtur ndër vite Timo Flloko, Lumturi Blloshmi, Namik Dokle, Luan Rama, Moza Ahmeti, Visar Zhiti, Arta Dade e të tjerë. Po ashtu edhe gjurma e fundit e bojës, kaligrafia e fundit e Dritëroit. Parathënia e pasthënia janë bërë ashtu si do të donte ai, nga bija e tij Elona.
“Ky është Dritëroi im” është një vepër që e dëshmon më së miri atë që një ndër autorët e këtyre kujtimeve ka shkruar. /TCh/