Kur shifrat flasin!
Shkruan: Ferat Shala
Importet nga Serbia në Kosovë për periudhën kohore Janar – Nëntor të vitit 2022 janë 341.7 milionë euro dhe përbëjnë vlerën më të lartë të importeve nga Serbia që nga viti 2019.
Trendi i rritjes së importeve nga Serbia nën Qeverisjen Kurti, është në përmasa të jashtëzakonshme dhe atë ngritja nga viti 2019 në vitin 2020 kur fillon kjo qeverisje, është +25.47%.
Ngritja e importeve serbe nga viti 2020 në vitin 2021 është 82.30% apo +124.2 milion euro, ndërsa nga viti 2021 në vitin 2022 është 24.20% apo +66.6 milion euro.
Në total ngritja e importeve serbe nën këtë qeverisje është 126.4% apo +190.8 milion euro, nëse krahasohet viti 2022 me vitin 2020 kur në pushtet vije Kryeministri aktual.
Kosova nga Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 642.6 milion euro (2020-2022), ndërsa ka importuar nga Serbia në Kosovë për të njëjtën periudhë mallra në vlerë 767.7 milionë euro.
Pra nga shteti serb ka importuar 125.1 milion euro më shumë mallra për këtë periudhë, sesa nga shteti amë Shqipëria.
Me ardhjen e këtij pushteti, fillon trendi i rritjes së importeve nga Serbia në krahasim me importet nga Shqipëria. Dhe ky fenomen vërehet edhe nga paraqitja grafike e të dhënave zyrtare mbi importet sipas Bankës Qendrore të Kosovës.
Derisa trendi i importeve nga Shqipëria qe nga viti 2019 deri në vitin 2022 është i luhatshëm dhe kryesisht vërehet rënie e importit, është rast tjetër me trendin e importeve nga Serbia ku vërehet një avancim i lartë i importeve nga ky shtet, duke shënuar vit pas viti ngritje të theksuar.