Kur skandali standardizohet, standardi pështirësohet

04 dhjetor 2024 | 12:29

Shkruan: Iljasa Salihu

S’kanë të ndalur skandalet, apo ngjarjet e pahijshme, për të cilat bëhet zhurmë e madhe, nga e cila zhurmë duhet të dënohet dikush e dikush tjetër është mirë të vetëdijesohet. Mirëpo, stërpërsëritja e skandaleve ka cenuar rëndë dënimin dhe vetëdijesimin, madje ka shkërmoqur fare. Aq shpesh ndodhin skandalet, saqë sot rrallë i bëhet vonë dikujt për ndonjë skandal, mu sikurse kur njeriu mësohet me një zhurmë, të cilit, zhurma në fillim i pengon, kurse me kalimin e kohës i bëhet pjesë e normalitetit, edhe pse zhurma është po ajo e fillimit, kurse njeriu del që nuk është ai i fillimit. Madje, për mendimin tim është mirë që mediat të mos tregojnë për çdo skandal. Është mirë të bëhet një përzgjedhje në mënyrë që skandali të mund të trajtohet pikërisht si skandal, mirëpo për fat të keq, shumë media të rënë në pezhishkën e lakmisë së shfletimeve, në emër të brengës, dukshëm dhe thellë kanë vrarë vetë brengën.
Kësodore, skandal është të përdhoset gjuha standarde, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të korruptohet një nëpunës i lartë shteti, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të bëhet bujë për jetën private të një artisti a artiste të shquara për kundërvlera, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të punësohesh mbi baza partiake, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të dalin përgjimet duke folur me armikun e vendit tënd dhe ti si i pari i vendit tënd të mos kthjellësh fare, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është ta kritikosh partinë dhe në sajë të këtyre kritikave ta fitosh pushtetin, mirëpo pastaj duke punuar me të njëjtën mendësi të partisë së kritikuar, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të bëhesh këngëtare e famshme mbi baza të zhveshjes, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të përzgjedhesh si njeriu që vishet më së miri, veshje me sqimë, duke qenë më tepër e zhveshur sesa e veshur, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të nderosh vetëm për interes, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është t’i kesh shpenzimet më të larta se të ardhurat, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është ta dashurojë gruaja burrin dhe në anën tjetër ta urrejë familjen e burrit, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që politikani t’i ketë dhjetëfish më të larta kursimet se të ardhurat, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që profesori të paktën dy libra në vit të mos i lexojë, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që analisti partiak të hiqet si analistë politik, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që gratë të turpërohen të merren me sport dhe në anën tjetër të dalldisura skajshmërish të vallëzojnë nëpër dasma, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që shoqatat bamirëse të ndërtojnë shtëpi për të pastrehët dhe në anën tjetër politikanët të ndërtojnë shtëpiza të shtrenjta nëpër male, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është prania e nepotizmit nëpër organet shtetërore dhe në anën tjetër të mbretërojë ftohja brenda familjeve në shtëpi, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të injorohet njeriu i drejtë dhe parimor, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të udhëhiqen besimtarët prej udhëheqësve fetar, të cilët udhëhiqen prej nëntokës dhe liderëve partiak, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që mikun ta harrosh posa të lartësohesh në piramidën politike, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është t’i blesh gjykatësit dhe në rast akuzash t’i thuash tjetrit se nëse janë të vërteta këto akuza, urdhëro më paditë në gjykatë, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të ecësh me sukses në karrierë në sajë të dukjes dhe jo të dijes, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që në mungesë të frytshmërisë së mendjes, ta shesësh trupin për një përparim, por në të vërtetë sot kjo është standard.

(Gjithmonë ka përjashtime! Në rastin e këtij shtjellimi përjashtimet janë të rralla)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm dy sezone më parë ishte kapiteni i “Zikaltërve” të…