![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/01/Adem-Gashi1705444352.webp)
Kur të vish ti
07 shkurt 2025
| 10:49
Adem GASHI
kur të vish ti, kur të kthehesh
gjithçka do të jetë e bukur shumë
kaptuar malesh luginash detesh
do të ulesh në shkëmbin ku buron një lumë
mund të jetë bie fjala Drini i Bardhë
Drini me valë e shkumë
gjithçka, gjithçka do të jetë e bukur
përthyerja e rrezeve në lule të çelura
e në gonxhe
era e barit të njomë të kositur
erë tërfili e jonxhe
e fresk nën hije
e zëra zogjsh e lojëra fëmije
as shira të mërzitshëm as ftohtë as furtunë
midis bukurisë, midis asaj bukurie
do të mungoj veç unë
kur të vish ti tërë hare e gaz
në çastin e fundit, në një çast
në cepbuzë si një dridhmë mallëngjimi
s’ka sesi të të mos shfaqet
diçka prej meje në trajtë kujtimi