Kur u tundën themelet e Jugosllavisë…
Besim Kajtazi
Tetori i vitit 1980, më zuri në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës, si ushtarë i ish-Armatës së Jugosllavisë. Posa e përfunduam shkollën e e mesme teknike “19 Nëntori” në Prishtinë, më 1980, sipas ligjit në fuqi, pasi e kishim regjistruar fakultetin, ishim gjenerata e parë që sipas sistemit të ri arsimor jugosllav (mësimi i orientuar i Stipe Shuvarit), duhej të shkonim ushtar 12 muaj, e pas shërbimit të vazhdonim studimet…
Vitin 1980 e kaluam pa ndonjë problem të theksuar…
Në kazermën “Slavisa Vajner Çiça” në Llukavicë, ku po shërbenim, nuk vërehej ndonjë urrejtje e theksuar ndaj ushtarëve shqiptarë dhe kjo gjendje zgjati për gjashtë muaj, përkatësisht prej muajit tetor 1980 deri më 11 e 26 mars, 1, 2 dhe 3 prill 1981, ku në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë kishin shpërthyer demonstratat e studentëve, të cilat gjatë ditëve, siç dihet morën përmasa gjithëpopullore…
Në fillim ishim të painformuar, dhe në mbrëmje të 11 marsit gojë më gojë, u përhap lajmi ndër ushtarë shqiptarë se në Kosovë kishte pasur protestë, por hë për hë nuk i dinim hollësitë e këtyre pakënaqësive të shprehura në Qendrën e Studentëve dhe në rrugët e Prishtinës…
Mirëpo, siç shihej nga sjelljet dhe shikimet e ushtarëve të nacionaliteteve tjera, por edhe të eprorëve sidomos atyre serbë, shtohej dyshimi se diçka e madhe kishte ndodhur…
Në mbrëmje, grupe-grupe me shokë shkëmbyem ato informata të pakta që i kishim dhe tashmë u pa qartë, se që nga kjo mbrëmje na ishin shtuar përgjimet dhe përcjellja nga pjesëtarët e sigurimit të armatës(oficerët e “bezbednostit”), por edhe ushtarët joshqiptarë…
Se gjendja ishte serioze u mor vesh ditëve në vazhdim, kur nisën publikimet e lajmeve në televizion e gazeta të ditës, kur nisën dënimet demonstratave nga ana politikanëve jugosllavë, të cilat u cilësuan si “kundërrevolucionin shqiptar në Kosovë”, dhe epitete të tjera antishqiptare, që morën dhenë…
Shumica e ushtarëve shqiptarë, ishim të rinj, pothuajse të gjithë 18 vjeçar dhe një pjesë e madhe tyre as që e dinin gjuhën serbe…
Tashmë nisën të vinin lajmet, për pasojat e demonstratave, vrasjet dhe burgosjet, orën policore dhe qëndrimi ynë në kazermë u vështirësua tej mase…
Presioni politik sa vinte e shtohej…
Burgosjet e shqiptarëve nisën edhe në ushtri, me akuza si ato në Kosovë, nacionalistë, anëtarë të grupeve ilegale, irredentistë…
Nuk kishte ditë apo natë që ushtarët shqiptarë nuk merreshin në biseda informative nga pjesëtarët e sigurimit të ushtrisë jugosllave, që siç e morëm vesh, me përgjegjësi, ata ishin mbi ushtrinë dhe mbi eprorët, madje edhe mbi vetë gjeneralin e kazermës “Slavisha Vajner Çiqa” në LLukavicë të Sarajevës, Sakib Pozderac, që ishte një anëtarë i familjes së njohur Pozderac në periudhën e qeverisjes së Titos…
Gjeneralin Pozderac, të cilin pata rastin ta takojë dy-tre herë ishte një njeri i qetë dhe i afërt me ushtarët, mirëpo, ai në rrethanat e reja të krijuara, pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë, nuk mundi të bëjë asgjë për t’i mbrojtur ushtarët shqiptarë nga përndjekjet, kërcënimet në hetuesi e maltretimet e eprorëve të sigurimit ushtarak…
Gjatë marrjes në pyetje, na kontrollonin kasetat personale dhe letrat që merrnim nga familja dhe shokët, duke i përkthyer ato se mos gjenin ndonjë njoftim apo “rrëfim armiqësor”, kundër shtetit jugosllav, për atë që kishte ndodhur gjatë demonstratave në Prishtinë, e të tjera…
Fati deshi që në këtë periudhë, asnjë nga anëtarët e familjes sime të ngushtë, të gjithë pjesëmarrës të demonstratave si studentë, vëllezërit Xhaviti, Arsimi e Fitimi, por edhe shokët dhe shoqet që kishin mbetur në Prishtinë nuk ishin burgosur, gjë që ma “lehtësonte” edhe mua qëndrimin në ushtri…
Nuk e di atëbotë, ai ishte në muajin prill, apo pas 13 majit 1981, kur u bë rrethimi i Tahir Mehës në Prekaz nga njësia speciale e policisë jugosllave, na njoftuan se në kazermë do të vinte politikani Azem Vllasi për t’na takuar dhe mbajtur një ligjëratë për gjendjen në Kosovë…
Njoftimi ishte i saktë, dhe në një sallë na tubuan rreth 200 shqiptarë, ku Vllasi do t’na fliste për gjendjen në Kosovë, me ç’rast na thanë se mund të bënim edhe pyetje…
Në sallë na fotografonin vazhdimisht disa ushtarakë dhe ajo çka shkëputa nga fjala Azemit ishte në fund porosia:”rrini të qetë, mos u shqetësoni për familjet tuaja, vazhdoni dhe kryeni shërbimin ushtarak dhe keni kujdes nga provokimet e ndryshme të cilat mund t’i keni”…
Dhe, vërtetë provokime patëm në vazhdimësi dhe me shumë fat e “kryem shërbimin ushtarak”…
Por, dikush tjetër nuk e pati këtë fat…
Disa u burgosën dhe u akuzuan dhe u dënuan me nga 5 e 7 vjet burg, me akuza të montuara, ndërsa në këtë periudhë nisën edhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë, të cilat ndodhnin në rrethana misterioze…
Këtë fat të keq e pati edhe shoku im i klasës Sami Gashi, i cili në rrethana të pasqaruara u vra duke shërbyer në Vërshac të Vojvodinës, më 8 gusht 1981, pak ditë pa e përfunduar shërbimin ushtarak…
Lajmi për vrasjen e Samiut, me të cilin gati çdo javë komunikonim përmes letërkëmbimit më tronditi mua dhe shokun tim të pandashëm Skender Ismajli – Millosheva, por edhe Irfanin, Avniun e Osmanin që shërbenin në kazermën “Princip Seljo”, ku komandant ishte koloneli serb me prejardhje nga Ferizaj, Vojislav Đurđevac, me të cilin një ditë, sa isha në roje, kishim pasur një përplasje jo të këndshme …
Koloneli Đurđevac, pasi e mori vesh se isha nga Kosova, më kërcënoi se do t’më dërgonte drejt në burg ushtarak, vetëm pse më zuri ulur në “angarin e tanksave” dhe pushkën e kisha vendosur pranë këmbëve, ndërsa në transistorin e vogël që e mbaja me vete në roje, dëgjoja lajme dhe këngë shqipe…
Për fat, e vërejta nga largësia se koloneli nga “kompanjolla ushtarake” po më vështronte diku rreth 10 minuta, dhe posa u nis drejt meje, e para që bëra, e fika radion dhe largova nga kanali i preferuar, Radio Tirana…
Pas përplasjes dhe kërcënimeve, nga koloneli mora vesh se babai i tij ishte vrarë në Luftën e Dytë Botërore, më 1944-45, siç tha ai “në luftë kundër ballistëve, me mitraloz në krah”!… nuk e mora vesh se a ishte vrarë babai i tij në Luftën e Ferizajt apo në Luftën e Drenicës…
Mbase në këtë rast më ndihmoi paksa edhe gjuha serbe, të cilën e flisja goxha mirë, në moshën rinore që isha …
Tashmë, u pa qartë se duhej të ishim shumë të kujdesshëm dhe të ruheshim nga provokimet e pjesëtarëve të sigurimit ushtarak, me të cilët i kaluam shumë orë dhe çaste tejet të rënda…
Tetori i vitit 1981, nga gjeti në Prishtinë, në familjet tona në një gjendje shtetrrethimi dhe vizita jonë e parë me shokët ishte në familjen Gashi, të cilët i ngushëlluam për vrasjen e Samiut, i cili ëndërr e pati lirinë e Kosovës dhe bashkimin, ideal ky i shumë brezave shqiptar…
Ky shkrim është vetëm një copëz e kujtimeve me rastin e përvjetorit të demonstratave të vitit 1981…