Kur vdes dëshmitari, vdes edhe rrëfimi për të, por jo edhe historia e tij
Nga Musa Sabedini
Vdekja e dëshmitarëve që kanë përjetuar luftën, që kanë parë e dëgjuar tragjeditë familjare, që kanë përjetuar ankthin e trishtimin, që kanë përjetuar vrasjen e familjarëve të tyre, vrasjet e ngadalshme, dhunimet para syve të tyre, zhdukjen e familjarëve, që kanë parë mizoritë serbe me sytë e tyre, është e dhimbshme, është e pafalshme për një shoqëri dhe për institucionet e drejtësisë. Dëshmitarët e masakrave të rënda dhe të atyre që njihen si më të rëndat në Kosovë, në asnjë rast nuk është dashur të shkojnë nga kjo botë, pa u incizuar, pa u marrë deklarata prej tyre dhe pa ofruar dhe deponuar dëshmi në polici, prokurori e gjykata.
Dyshoj se shumë dëshmitarë të rëndësishëm, tashmë kanë vdekur, disa janë vetëm me kujtime nga e kaluara e disa ende vazhdojmë t’i injorojmë, edhe pse ata i kemi çdo ditë para syve tanë.
“Dëshmitarët po vdesin”, këtë titull pothuajse e kam shkruar hiq më pak se në vitin 2002, pra menjëherë pas luftës, kohë kjo kur dëshmitarët e krimeve serbe, ishin të freskët, kishin memorie të pastër, i njihnin të dyshuarit, dinin emra e mbiemra, kishin shënime të sakta, madje dhe foto të shumta.
Me kalimin e kohës, dëshmitarët potencialë për çdo gjykatë ndërkombëtare filluan të harrohen, filluan të lihen pas dore. Policia, Prokuroria dhe Gjykatat nuk kishin guxim ose e kishin të ndaluar nga UNMIK-u që të hetonin mbi krimet serbe. Një lëshim katastrofal dhe i pafalshëm për Kosovën. Betejën për ta mundur regjimin e Millosheviqit dhe ata kriminelë që ende jetonin të lirë, tashmë Kosova e kishte humbur. Mungonin dëshmitë, mungonin provat e deklaratat e deponuara. Gratë e vajzat e dhunuara, gjithashtu ishin të lëna pas dore. Thjesht, dëshmitarët duhej përpunuar dhe mësuar se si të kërkonin të drejtat e tyre.
Më kujtohet nga gjykimi i Millosh Jokiqit nga Vitia, se si dëshmitarët kryesorë, tërë kohën e përsërisnin një fjali në gjykatore: “Zoti gjykatës, kur kryhet gjykimi se kemi për të punuar tokat tona”. E dhimbshme gjithsesi, por e kuptueshme në aspektin njerëzor. Pse? Sepse asnjë avokat apo prokuror nuk e kishin përgatitur dëshmitarin. Nuk e kishin njoftuar se dëshmia e tij dhe e të tjerëve është thelbësore që të dënohen serbët e dyshuar.
Kur vdes dëshmitari, vdes edhe rrëfimi i tij, vdes pjesa më interesante e një tragjedie. Por, mbetet historia e tij dhe mbetet dëshmia e tij, sado që më e zbehtë. Ka ende dëshmitarë kyç në masakrat e Llashticës, Llovcës, por edhe në qytetet e tjera të Kosovës, që dinë shumëçka për krimet serbe dhe, ende heshtin. Ata nuk heshtin se nuk kanë çfarë të tregojnë, por heshtin sepse nuk ka kush t’i dëgjojë, sepse po heshtim të gjithë, sepse po bëjmë sehir të gjithë.
I tërë orientimi mediatik, po edhe politik, sytë i ka të drejtuar nga Gjykata Speciale. Dhe i tërë mundi i analistëve dhe i opinionistëve, fatkeqësisht orientohet në interesimet e tyre nëse ndaj Hashim Thaçit apo ndonjë komandanti tjetër të luftës do të ketë aktakuzë. Por askush nga ky tabor nuk e tha një rresht se qindra serbë të dyshuar po ecin lirshëm, po veprojnë madje edhe me deklarata publike. Askush nuk merret me ta. Pse? Sepse interesimi është i pakët për t’u marrë me këtë kategori.
Asnjëherë s’kam heshtur dhe nuk do të hesht. Nuk do të pajtohem, të paktën jo me dëshirë, që një shqiptar që e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, edhe nëse ai ishte me uniformë, të akuzohet e gjykohet para një paramilitari serb, para një dhunuesi që ka emër e mbiemër. Të dyshuarit eventualë nga pala kosovare duhet t’i gjykojmë e dënojmë vetë, para se të gjykohen nga të tjerët.
E
nde mendoj dhe shpresoj se dëshmitarët e gjallë i duhen drejtësisë, i duhen Kosovës dhe institucioneve të saja për t`u mbrojtur karshi propagandës serbe. Dëshmitarët posedojnë rrëfime autentike, rrëfime të gjalla, përshkrime të tmerrshme, kanë prova, kanë incizime në memoriet e tyre.
Apeli im është që t’i duam këta njerëz, t’u japim guxim e fuqi që të deponojnë dëshmi në prokurori e gjykata. Madje edhe të paguhen, nëse është nevoja, sepse dëshmia e tyre s’ka çmim për drejtësinë.