KUR VRITEN FËMIJËT
SALAJDIN SALIHU
KUR VRITEN FËMIJËT
Kur vriten fëmijët
vizatohet një pikë e zezë
në ndërgjegjen e njerëzimit
Një njollë e zezë vizatohet
në ndërgjegjen e atyre
që heshtën kur duhej të flisnin
PUSI ME KLITHMA
(Të masakruarve në Kotlinë të Kosovës)
Një pus i zi
si humnera e Kovaçiqit
mbushur klithma të rinjsh
që mbase s’e kishin provuar
as puthjen e parë…
Nuk i vranë,
i mbytën mizorisht ngadalë…
Atë ditë
ankthi e kishte ngrirë stinën
jeta ishte e trishtë
më mizore se vdekja
Poshtë në luginë prindërit
mbushur me boshësi brejtëse
me sytë mbushur me trishtim
dëgjonin klithma
si përtej një muri prej kohe
Çdo prind besonte
se ai që klithte në breg
pranë pusit të thellë
nuk ishte biri i tij
se prindërit ruajnë një copë shprese
kur gjithçka duket e pashpresë.
I kam parë petkat
me njolla
një korb fluturonte
nëpër qiell mendimi
Përse historia merret
vetëm me pamjet e jashtme
dhe jo edhe me klithmat?
NËNA E TË ZHDUKURIT
Lëviz varreve
dhe nuk gjen vend
ku mund të qajë.
Ndien
se në secilin varr
prehet biri i saj.
Një varr
është gjithë jetë e saj
NË TË NJËJTËN DITË
Kishin moshë të ndryshme
fëmijë
të rritur
pleq
Të gjithë i vranë për një ditë
të gjithë i gjetën për një ditë
në një frigorifer diku në Danub
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)