Kurban Bajrami dhe Vidovdani, KFOR: Festimet paqësore tregojnë rëndësinë e dialogut
KFOR-i përmes një komunikate ka thënë se mënyra e kremtimit të Vidovdanit dhe Kurban Bajramit këtë të mërkurë tregon rëndësinë e vazhdimit të dialogut përmes tolerancës dhe respektit të ndërsjellë
KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, ka shprehur mirënjohje dhe ka përshëndetur festimet paqësore të festës së Kurban Bajramit dhe festën e “Vidovdanit” që ishin në të njëjtën ditë.
Në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i, ata kanë theksuar rëndësinë e dialogut dhe promovimit të paqes dhe kanë pohuar se fetë luajnë një rol kyç në bashkëjetesën e komuniteteve.
“KFOR-i gjithmonë mirëpret dhe mbështet mesazhet që promovojnë paqen dhe dialogun. Fetë luajnë një rol kyç në bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve. Ceremonitë paqësore të Vidovdanit dhe Kurban Bajramit sot tregojnë rëndësinë e vazhdimit të dialogut përmes tolerancës dhe respektit të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Këtë të mërkurë, dhjetëra qytetarë serbë ishin mbledhur në oborrin e Manastirit të Graçanicës, për të festuar Ditën e Vidovdanit, e cila festohet për çdo vit, për çdo 28 qershor.
Zakonisht, Vidovdani festohet në Gazimestan, dhjetë kilometra larg kryeqytetit, Prishtinës, por këtë vit do të mbahet në Graçanicë. Kjo, me vendim të peshkopit, Teodosije Shibaliq.