“Kurrë mos u kthefshin!”, Peci “mallkon” opozitën
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka pasur përplasje me analistin Imer Mushkolaj në lidhje me punësimet në dikasterin që ai drejton dhe qeverisjen e kaluar.
Peci ka thënë se qeveria paraprake u kishte mbetur borxh fermerëve derisa, sipas tij, mjetet që ua kanë kompensuar vitin e ardhshëm, i ka konsideruar sukses dhe rritje të subvencioneve për bujqësi.
“Mjetet bujqve do t’u dalin brenda këtij viti. Nuk do të bëjmë si qeveria paraprake që ua ka paguar vetëm gjysmën e mjeteve”, ka thënë Peci në studion e “Debat Plus” .
E Mushkolaj këtu e ka ndërprerë ministrin.
“Mos bëni krahasime, o Faton! Ju keni program tjetër. Ne i kemi larguar nga pushteti ata. Ju tash folni për vete”, ka thënë Mushkolaj.
“Po mirë ua kemi bërë shumë që i kemi largu. Kurrë më mos u kthefshin!”, ka deklaruar Peci.
Më tej Mushkolaj ka thënë se kjo qeveri bujqësisë nuk i ka kushtuar më shumë se një faqe në program.
“E rëndësishme është që çështje u trajtua”, i është kundërpërgjigjur Peci.
Edhe emri i Venera Qerkinit ka sjellë përplasje mes Pecil e Mushkolajt, pasi e njëjta ka lidhje familjare me presidenten Osmani.
“Venera Qerkini ka ardhur si huazim nga Ministria e Pushtetit Lokal në një pozitë ekuivalente. Ka qenë huazim për gjashtë muaj dhe më pas e kemi shpallur konkursin dhe unë e kam inkurajuar për të aplikuar. Jam shumë krenar për këtë gjë pasi është juriste shumë e zoja”, ka theksuarPeci.
“Venera Çerkini, është vajza e tezes së Presidentes Vjosa Osmani, apo?”, i është kundërpërgjigjur Mushkolaj.
“Presidentja i ka me dhjetëra vajza të tezeve. Venera kur e ka filluar karrierën nuk e ka filluar si familjare e Presidentes Osmani. E pakuptimtë pse e sulmoni prej një viti personin në fjalë”, i është përgjigjur Peci.