Kurrë nuk kam qenë shok i ngushtë me Messin dhe Suarezin
Ivan Rakitiq e ka pranuar se asnjëherë nuk ka qenë mik i ngushtë i Lionel Messit apo Luis Suarezit gjatë kohës së tij në Barcelonë.
Mesfushori kroat i dha fund qëndrimit gjashtëvjeçar në “Camp Nou” këtë verë dhe iu bashkua ish-klubit të vet, Sevillës.
Në të kaluarën ka pasur lajme se Rakitiq nuk kalonte mirë me dyshen sulmuese të Barçës, por, përderisa e ka pranuar se nuk kanë pasur marrëdhënie të ngushta, ai këmbëngul se kishte respekt të madh për të dy.
“E kam thënë timen. Unë kurrë nuk kam pasur marrëdhënie të ngushta miqësore me ta. Besoj që është e vështirë të kesh në një grup prej 23 apo 24 lojtarëve”, ka thënë Rakitiq.
“Miqtë e mi të ngushtë ishin Andres Initesa, Marc-Andre ter Stegen, Kevin-Prince Boateng dhe Junior Firpo sezonin e kaluar”, theksoi kroati.
Rakitiq ka shtuar: “Por unë i respektoj ata dy. Ata i kisha shokë skuadre për gjashtë vjet dhe ata janë lojtarë shumë të rëndësishëm. Gjithmonë kam kaluar shumë mirë me ta dhe kam respekt të madh për ta”.