Kurteshi-Emini: Për Tefikun e Nushin më së miri do të flasë historia

22 dhjetor 2019 | 15:58

Në organizim të institucioneve komunale të Gjilanit dhe shoqatës së familjeve të dëshmorëve është mbajtur akademi përkujtimore për nder të dëshmorëve Tefik e Hanumshahe Zymberi, të cilët me vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë shpallur heronj të kombit.

Në këtë akademi, e cila është organizuar me rastin e ditëlindjes së 59-të të Tefik Zymberit, ka folur edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila duke i përshëndetur pjesëmarrësit në emër të kryetarit të komunës, Lutfi Haziri dhe institucioneve komunale, ndër të tjera ka thënë se jemi mbledhur sot këtu për të kujtuar jetën dhe veprën e Tefikut dhe Hanumshahes dhe për t’i kujtuar në këtë moment të gjithë heronjtë dhe dëshmorët të cilët kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës.

“Të flasësh për personalitetin e Tefikut dhe Nushit, është përgjegjësi e llojit të vetë dhe sigurisht që është edhe emocion, por më mirë se gjithkush ka folur jeta dhe vepra e tyre nëpër periudha të ndryshme kohore, duke e ngritur zërin për Kosovën në rrethanat më të vështira në të cilat është gjetur vendi ynë”, ka thënë ajo.

Kurteshi-Emini ka thënë se këto personalitete përbëjnë dy nga figurat më të rëndësishme të kësaj periudhe dhe për të cilët më së miri do të flasë historia. “Po ashtu ne kemi obligim të punojmë në baza ditore që ta jetësojmë amanetin e Tefikut e Nushit dhe gjithë dëshmorëve tjerë”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Momente nga jeta dhe veprimtaria e heronjve Tefik e Hanumshahe Zymberi kanë rikujtuar edhe Shukri Buja, këshilltar i presidentit Thaçi, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Ahmet Isufi ish-komandant i ZOK-ut si dhe Ismet Tafili, bashkëveprimtar.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtatë gola janë shënuar në ndeshjen mes Osasunas dhe Real…