Kurteshi-Emini: Reshat Ymeri, simbol i sakrificës për lirinë e shqiptarëve
Në 31-vjetorin e vrasjes së dëshmorit Reshat Ymeri, nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli me bashkëpunëtorët dhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini, të premten kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.
Kryesuesja Kurteshi-Emini, ka thënë se Reshat Ymeri është simbol i sakrificës për lirinë e shqiptarëve.
“Sot e kujtojmë dhe nderojmë veprën e tij të lavdishme për kauzën e përgjithshme kombëtare për çlirimin e vendit, për arritjen e lirisë dhe për rezultatet që ne i prekim sot, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjilani në janar, përpos Reshat Ymerit, ka dhënë shumë heronj, siç është Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Kurteshi Emini.
Ndryshe, para 31 vitesh, më 29 janar 1990, Reshat Ymeri (1962) u qëllua për vdekje nga policia serbe, derisa po demonstronte kundër dhunës dhe padrejtësive të Beogradit mbi shqiptarët.