Kurteshi: Familja Dehari kërkon hetim të plotë ndërkombëtar për Astritin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kërkuar që të ndërmerren masa për fillimin e hetimit ndërkombëtar në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ai në një konferencë për medie ka deklaruar se familja Dehari dhe avokati i kësaj familje, nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me rastin.
“Familja Dehari dhe avokati i kësaj familje kanë kërkuar hetim të plotë ndërkombëtar të rastit Dehari. Nuk kanë kërkuar vetëm të shikohen dokumentet që i ka krijuar prokuroria dhe policia këtu. Pikërisht është mosbesimi që kanë pasur ndaj punës së policisë e prokurorisë këtu që ka shtyrë në një hetim ndërkombëtar” ka thënë Kurteshi.
Ai ka thënë se kërkesa e familjes Dehari është hetimi i plotë ndërkombëtar për rastin e Astritit dhe jo auditimi i dokumenteve të hetimit të zhvilluar në Kosovë.