Kurteshi: Qëndrimi i VV-së kundër Demarkacionit s’ka ndryshuar, përfshirë edhe të dorëhequrit
Edhe me marrëveshjen e sotme të partive në lidhje me ratifikimin e Demarkacionit nuk është përmbyllur puna e sigurimit të votave, për ta miratuar këtë projekt-ligj.
Koalicionit i duhen edhe votat e Listës Serbe ose të disa deputetëve të VV-së në mënyrë që Demarkacioni të ratifikohet të mërkurën, për kur është caktuar seanca.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur disa raportime në media, për mundësinë që pro demarkacionit të votojnë edhe disa nga deputetët e dorëhequr të VV-së.
Një gjë të tillë e tha edhe Arban Abrashi gjatë natës së mbrëmshme.
“Unë kam bisedu me disa prej tyre që janë shumë konstruktiv dhe ndoshta edhe do të votojnë. Nuk kisha me përmend emra por ka njerëz që mendojnë se ky proces duhet të ecë përpara sepse e ngulfat Kosovën dhe tërë shoqëria po merret me demarkacion tani e tre-katër vjet’, tha Abrashi për televizionin Dukagjini.
Por një gjë të tillë po e mohon sekretari i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi.
Kurteshi ka thënë për lajmi.net se qëndrimi i VV-së për demarkacionin nuk ka ndryshuar, duke përfshirë në këtë deklarim edhe të dorëhequrit.
“Qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me demarkacionin mbeten të pandryshuara”, ka thënë Kurteshi në një përgjigje me shkrim.
E qëndrimet e kësaj partie për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi tashmë janë të ditura.
Partia e Albin Kurtit vazhdimisht ka ngritur zërin për këtë marrëveshje, duke theksuar se Kosova humb 8 mijë hektarë tokë nëse demarkacioni kalon.
Pikërisht për këtë temë, para dy vitesh VV-ja së bashkur me Haradinajn e Nismës që sot janë në koalicion, kishin kundërshtuar me protesta dhe gaz lotsjellës në Kuvend.