Kurthet politike të çështjeve të sigurisë që implikojnë gjeopolitikat

06 shtator 2023 | 10:24

(Konvertimet gjeostrategjike: Serbia partnere e Kosova mospajtime me SHBA)

Shkruan: Hajdin Abazi

“Doja ta bëja të qartë se SHBA-ja zgjedh si partnerë në Ballkan ata që e afrojnë rajonin me Evropën, ata që tregojnë përkushtimin e tyre ndaj NATO-s dhe që vazhdojnë luftën kundër korrupsionit.” Gabriel Escobar, 26 gusht 2023.

Në lojërat politike, sidomos sikurse janë ato shoviniste serbe kundrejt Kosovës, nganjëherë ngrihen kurthe të rafinuara. Është aftësi drejtuese të shquhen e të shmangen ato, pa ju dhënë shans, pa u dëmtuar fare, dhe gishti të drejtohet kah fajtorët.

Gjatë këtij viti, më dukshëm se asnjëherë më parë, bien në sy ndryshime segmentare gjeostrategjike, të cilat patën për rrjedhojë ndërrimin e roleve kundrejt asaj që ishte e pritshme. Për shembull, nuk ishte e pritshme që Kosova të sillej mospajtuese, e as Serbia si partnere e SHBA.

Këto ndryshime erdhën në një kohë kur bota është e trazuar nga agresioni rus në Ukrainë që nga shkurti 2022 e që po vazhdon dhe që ka kushtëzuar rikalibrim gjeopolitikash, strategjish e taktikash, për të ruajtur sigurinë dhe për të mos lejuar përhapjen e luftës edhe në ndonjë rajon tjetër në Evropë. E ku rajoni më i ndjeshëm është Ballkani.

Si shpeshherë, e sidomos tre-katër muajt e fundit, në Ballkan janë shpeshtuar kërcënimet, të sinkronizuara me qarqe luftënxitëse, për të minuar paqen dhe për të ndezur konflikte. Kjo e bën situatën alerte, e në të njëjtën kohë edhe reagimin euroatlantik më dinamik.

*

Gjendja e tillë tensionuese e solli emisarin special amerikan Escobar në Shkup. Kësaj here ai shpalosi tri parime – afrimin me BE, përkushtimin ndaj NATO-s dhe luftën kundër korrupsionit, si kusht për t’u zgjedhë partnerë nga SHBA. Kushti është, pra, fryma euro-atlantike.

Duhet kujtuar se nga luftërat e viteve 1991-1999, tragjeditë nuk do të kishin të ndalur në Ballkan sikur të mos kishte ndryshuar një rrethanë me peshë të njëmendtë historike. Perëndimi, edhe më herët, po sidomos që nga intervenimi i NATO-s në pranverë të vitit 1999 kundër Serbisë agresore, u angazhua drejtpërdrejt në terren; u angazhua, natyrisht, në funksion të paqes – dhe në pikën më të ndjeshme, në Kosovë, u dislokua NATO me mision sigurinë.

Prandaj, mesazhi i Escobar duhet lexuar si një paralajmërim krejtësisht i qartë, drejtuar secilit shtet që nuk heqin dorë nga mentaliteti dhe qasja ballkanase: që deklarohen për e, nën rrogoz, veprojnë krejt të kundërtën. Diçka e këtillë nuk do të tolerohet më, sepse vë në rrezik sigurinë, dhe do të ndërmerren masa e sanksione.

*

Gjatë muajit gusht, në fokus të propagandës të disa mediumeve nga Serbia  u vunë ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, ndryshime të cilat do t’i hapin rrugën këtij vendi për integrim në BE.

Në kohën kur vet Maqedonia e Veriut bënte çmos, edhe me kontributin e madh të shqiptarëve, të shmangë acarimet dhe zhvillimet të shkojnë në kahun e duhur,  Kryeministri i Kosovës bëri një vizitë më 11 gusht në këtë vend, ku jo vetë akti i vizitës, po ajo që deklaroi ai atje u bë një mollë sherri.

*

E çfarë tha Kurti, në Çair dhe Tetovë, komuna shqiptare këto, që provokoi reagime?

Disa gjëra të ndjeshme, por që konsiderohen substanciale, liderët e dy vendeve fqinje e partnere mund t’ia shprehin njëri-tjetrit, në takime të mbyllura, ose përmes kanaleve të komunikimit ndërshtetëror, sepse nuk janë për konsum të gjerë, jo për publikun.

Në vend të kësaj, Kurti bëri të kundërtën, ashtu sikundër nuk do te duhej, foli publikisht:

“Maqedonia e Veriut, sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Milosheviçit e as nga Putini – aq më afër ajo, aq më afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni i ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë dhe duhet ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”.

Në dukje, ky pohim krijon perceptimin e një qëndrimi korrekt, por, konteksti, koha dhe vendi, e bëjnë krejt të gabuar dhe të kundërt me atë që shprehet.

Një kryeministër i një vendi i tregon rrugën e ecjes dhe rreshtimin një vendi tjetër kundrejt një vendi tretë, e edhe i jep vetes të drejtë t’i tregojë se si do të “afrohet” me BE. Duket ironike, kur këtë po e bënte një Kryeministër vendi i të cilit nuk e ka as statusin e kandidatit.

Në sy të euroatlantikëve kjo u perceptua sikur Kurti po i thoshte Maqedonisë së Veriut të jetë “sa më afër Kosovës” së sanksionuar! Përveç se një ndërhyrje në politikën e jashtme të një vendi, përmbajtësisht vlerësimi kishte substancën e një bashkërendimi kundër shtetit të tretë, dhe ishte interferim në strategjinë euroatlantike – duke i dhënë vetes një mision që nuk e kishte nga askush.

*

I shpejtë ishte reagimi maqedonas, i cili u ndje “i prerë në besë” nga kryeministri i një vendi fqinj e me raporte shumë të mira, duke shprehur irritim, por në mënyrë të përmbajtur, me çka, në këto rrethana, tregoi pjekuri politike.

E shteti i tretë, Serbia, e cila lutej të ndodhte diçka që t’i krijonte alibi për të “mprehur shpatën”, nisi me revan “mbrojtjen” nga ky rrezik “ndihme e përkrahjeje” që po i jepte Kurti, duke i treguar një anëtari të NATO-s, Maqedonisë së Veriut, “muskujt agresorë”, si mesazh superfuqive e posaçërisht takimit informal në Athinë, që do të mbahej së shpejti.

*

Është krejt e paqartë se çfarë synonte Kryeministri Kurti me këtë interferim, pasi asgjë nuk prodhoi në të mirë të Kosovës, madje pati efekte të kundërta.

Dihet se nuk shkohet në një vend fqinj, me të cilin ke marrëdhënie partneriteti, e nga atje t’i adresohesh një vendi tjetër, pa dakordancë paraprake me shtetin nikoqir dhe me aleatët.

Nëse kishte për synim të çonte mesazhe se ai mund të kontribuonte në përkeqësimin e tensioneve në rajon, ishte krejt qasje e gabuar, sepse, edhe po të donte ai, realisht Kosova nuk e ka këtë mundësi, po krejt çka mund të arrihet është t’i krijohen kontekste e pretekste Serbisë, dhe eventualisht të ketë si rrjedhojë humbjen e kredibilitetit te fqinjët, si dhe të përkeqësohen edhe më raportet e Kosovës me SHBA dhe BE, që janë në një degradim si asnjëherë më parë e që do të duhet shumë, tepër shumë, punë për t’i riparuar.

*

Se përse, në rrethanat e tashme, veprimet që shkaktojnë tensione lokale, kudo e sidomos në Evropë, ka gjasa reale të provokojnë konflikte serioze, mund të kuptohet më qartë po qe se kihet parasysh gjendja botërore (nga shkurti 2022) e konstelacioneve të ndërlikuara ndërkombëtare. Kurset e gjeopolitikave të ndryshme mund të ravijëzohen kështu:

  1. Gjeopolitika preventuese (SHBA, BE, Australia e NATO), vepron si mbrojtëse e vlerave të lirisë, paqes e sigurisë; duke e ndihmuar por pa u involvuar vet drejtpërdrejtë në luftën Rusi-Ukrainë; duke vepruar si zjarrfikës ndaj orvatjeve aty-këtu për të ndezur zjarre konfliktesh; dhe, natyrisht, duke e bërë të qartë se vendet anëtare do të mbrohen.
  2. Gjeopolitika agresore (Rusia me aleatët e saj), krahas luftës në Ukrainë, shkakton tensione edhe gjetiu dhe është në gjendje të inskenojë gjithçka të mundshme, shfrytëzon çdo rrethanë dhe çdo pretekst, shpesh edhe duke i krijuar ato artificialisht, për të shkaktuar sa më shumë vatra tensionesh e mundësisht të ndezë luftëra.
  3. Gjeopolitika profitere (Kina, India, Brazili, Irani, etj. si dhe Rusia) formalisht e painvolvuara në luftë por faktikisht po bën një ristrukturim, rigrupim për të kundërvepruar sidomos SHBA por edhe Perëndimin përmes BRICS, me synim dobësimin ekonomik të SHBA, me çka tërthorazi edhe godasin forcat euroatlantike dhe ndihmojnë gjeopolitikën agresore.

Nga ky konstelacion nënkuptohet qartë se objektivi i gjeopolitikës preventuese nuk mund të arrihet po qe se secili shtet vepron kokë më vete dhe sipas interesave të ngushta sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, por përkundrazi kërkohet të jenë të bashkërenduar dhe në sinkroni deri në imtësi; si dhe çdo veprim në drejtim të kundërt nga kushdo që deklarohet në frekuenca me gjeopolitikën euroatlantike është një lloj kundërveprimi nga brenda.

*

Dhe, deri më tash, pika më e dobët në sferën gjeopolitike euroatlantike është Ballkani. Kjo trevë, prandaj, perceptohet, figurativisht, si një vullkan i heshtur, gjendje kjo që nuk është vetëm e sotme, por daton, përveç rrjedhave të më hershme historike, edhe nga viti 1991 e deri më 1999 kur Serbia shkaktoi luftërat kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Sidomos është vullkanike gjendja në Kosovë, me të cilën Serbia e mban të pambyllur kapitullin e divorcimit shtetëror, ka instrumentalizuar eksponentë të minoritetit serb dhe nxit tensione pasive e aktive, konflikte të përsëritura lokale me potencial për eskalim, në linjën gjeopolitike agresore.

Pikërisht për këtë, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, si dhe BE, dhe u mor vesh edhe NATO, kanë  përqendruar vëmendjen në raportet Serbi-Kosovë, duke e shtyrë përpara zgjidhjen.

Se Serbia gjithçka e bën me planifikim, si kur kundërvihet, kur shkakton tensione, ashtu edhe kur tregohet e gatshme për kompromise shpesh formale e mashtruese, me akrobacione të gjithfarshme kundrejt objektivave euroatlantike e realisht në funksion të gjeopolitikës agresore ruse, ishte e ditur, e pritshme dhe asgjë befasuese për SHBA, ndaj dhe veprohej me strategji fashitëse ndaj saj.

Befasuese, që nga fillimi, ishin veprimet mos-dëgjuese, mos-bashkërenduese, të shpërputhshme, mospërfillëse dhe shmangëse nga taktikat e gjeopolitikës euroatlantike të Kryeministrit Kurti në raport me veriun, veprime këto të cilat për Kosovën janë një lloj salto mortale kundrejt SHBA dhe Perëndimit.

Sepse për Kosovën, si dhe për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë, është jetike të jetë bashkërenduese me strukturat euroatlantike, para se gjithash me SHBA, kundrejt luftënxitjes.

*

Ndërkohë që me sa duket Vuçiq është duke lozur ruletin gjoja me vullnetin për përfshirje në gjeopolitikën euroatlantike, e që kjo duhet të ndodhë disi si me shtrëngim, në anën tjetër ajo turbullon gjendjet duke nxitur artificialisht tensione, por të cilat, po të ketë mungesë vëmendjeje, mund të bëhen realitet e të eskalojnë.

Se Serbia ka skenarë me role të shumëfishta mund të shihet nga manovrat e Vuçiq pas deklaratës së Kurtit në Maqedoni të Veriut për, dhe në lidhje me, Serbinë.

Një ditë para takimit informal në Athinë të liderëve të Ballkanit, ministri serb i mbrojtjes M. Vuçeviq verbalisht atakoi Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, për njohjen që i kanë bërë para 15 vitesh pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar këtë si cenim të interesave të Serbisë. Kërcënimi ‘ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë”, duke aluduar te Ukraina, nënkuptonte një agresion ushtarak ndaj tyre, që të dyja anëtare të NATO-s, e rrjedhimisht edhe ndaj vetë NATO-s. Duket çmendurake, por është një strategji e rafinuar.

Ishte edhe mesazh takimit informal në Athinë, pra BE, ku u luajtën shumë zare.

Mesazhi i drejtohej edhe presidentit ukrainas Zelenski, i cili ishte përfolur se do të njihte Kosovën, për t’i thënë se Serbia këtë do ta konsideronte si akt armiqësor.

Gjithsesi, strategjia shantazhuese e Vuçiq kishte edhe shumë dimensione të tjera taktike, ndër të cilat, sikurse e tha edhe Viola von Cramon. ofrimin e furnizimit me armë Ukrainës në shkëmbim të mosnjohjes së Kosovës, e në të njëjtën kohë ia mundëson Rusisë rekrutimin e serbëve për luftë kundër Ukrainës.

Dhe, përderisa me Kryeministrin Kurti si rastësisht pati vetëm një shtrëngim duarsh dhe përshëndetje kalimthi e që nuk e publikoi gjëkundi Zelenski, ky, gjykuar nga paraqitja në twiter, me Vuçiq pati takim të mirëfilltë, të cilin e lartësoi në postimin e tij, mund të nënkuptohet se manovrat serbe prodhuan rezultat, qoftë edhe përkohësisht.

*

Vuçiq i ka kalkuluar me mjaft saktësi shkëmbimet e koncesionet në takimin informal në Athinë.

Ai i kërkoi falje presidentit të Maqedonisë Veriore për deklarimet e ministrit të tij të mbrojtjes, duke thënë se vendet e tyre në të vërtetë mbeten miqësore dhe bashkëpunuese, me çka luajti rolin e gjoja zjarrfikësit, kur ai vet ishte zjarrnxitës, për të treguar kështu, se ai është faktor.

Një akrobacion diplomatik ishte vënia e Vuçiq në krye të listës së liderëve pjesëmarrës në Deklaratën e përbashkët me 8 pikë, ku, ndër të tjera, theksohet: “Ne besojmë fuqishëm se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themeli i paqes dhe i prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese” (pika5).

Nënshkrimi i kësaj deklarate, me qëndrimin kundër agresionit rus në Ukrainë, ishte edhe një manovër politike, të cilën Vuçiq pa fije dyshimi do ta ketë paraqitur si koncesion, duke dhënë shenja mashtruese se ai gjoja ndruajtshëm e megjithatë sakrifikon të kontribuojë për sigurinë e Evropës. E ndërkohë Vuçiq nuk heziton t’u japë nënshtetasi serbe rusëve, të cilët dyshohet të kenë edhe misione veprimi në Evropë.

*

Në takimin informal në Athinë, u ndje atmosfera e sanksioneve ndaj Kosovës. Krejt ajo që ishte arritje është vetëm prania e kryeministrit në këtë takim. Ndoshta edhe kjo nuk ishte pak.

*

Gjeopolitikën euroatlantike shqiptarët e kanë të sinqertë, shpresë dhe shpëtim.

Jo vetëm sot po historikisht kursin perëndimor të shqiptarëve e kanë përcaktuar Rilindësit mendjendritur e vizionar, të cilët, për shkak se nën sundimin otoman shqiptarët thuajse ishin tjetërsuar, zgjimin kombëtar e panë ekskluzivisht të lidhur me perëndimin.

E Rilindja Kombëtare e shqiptarëve u frymëzua nga figura më madhështore – Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili bëri përpjekjen e jashtëzakonshme për ta shkëputur popullin shqiptar nga vargonjtë otomanë dhe për ta lidhur me Evropën, kurs të cilin kurrë dhe për asnjë moment nuk e ndryshoi po i qëndroi besnik deri në fund.

Vetëdija e re kombëtare e gatuar nga intelektualët rilindës ishte frymëzuar, brumosur dhe mishëruar me kulturën perëndimore të emancipimit, me vlerat (kantiane) për paqen e amshueshme, jo konfliktuozitetit, stabilitetit, prosperitet dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore, pa asnjë pretendim për ekspansion apo ngacmim luftënxitës.

*

Ndonëse lufta ende është e lokalizuar midis Rusisë dhe Ukrainës, pasojat e saj ndjehen mjaft fuqishëm në të gjitha shtetet evropiane, por edhe në përmasa botërore, si trandjet në ekonomi, inflacioni, krizat e ricikluara thuaja të çdo sektor, papunësia, cenimi i sigurisë, përfshirë sulmet kibernetike dhe psikozën e luftës.

Përballë rrezikut të humbjes dhe për të kërcënuar NATO-n, Rusia jo rrallë e përmend përdorimin e armëve atomike, madje dhe i ka vënë disa herë në lëvizje disa të tilla që quhen taktike. Një lufte atomike do t’i dihej fillimi por jo dhe epilogu, kur në pak orë përmasat shkatërruese, përnjëmend, mund të jenë apokaliptike sa mund t’i shuajë qindra milionë, miliarda e ndoshta edhe tërë njerëzimin.

*

Dhe miliarda njerëzit janë të pafuqishëm për të parandaluar një katastrofe atomike që çdo çast mund të ndodhë. Qindra mijëra demonstrues rrugëve të kryeqytet të Rusisë kundër agresionit në Ukrainë – nuk arritën asnjë efekt, pasi që më të zëshmit u ndoqën e u maltretuan mizorisht. Edhe në Beograd, pikërisht kundër regjimit luftënxitës të Vuçiq, disa herë më shumë se një milionë njerëz mbushën sheshet dhe protestuan, por nuk arritën ta trandin pushtetin e tij dhe as ta kufizojnë atë.

A mos vallë shteti dhe roli i tij duhet rikonceptuar?

Shekuj me radhë, shteti përgjithësisht në histori kishte rol emancipues për njerëzimin, për çka Thomas Hobbes postulonte se pa shtetin do të bëhej degradimi i civilizimit, regresi shoqëror deri në barbari, kur homo homini lopus, pra njeriu për njeriun bëhet ujk.

Kohërat e luftërave, sidomos sikurse ishin ato botërore, dhe tash kur janë shpeshtuar kërcënimet me armët atomike si rrezik real për zhdukjen e vetë njerëzimit, dhe pamundësia për t’i ndalur qeveritarët nekrofilikë, e nxjerrin në pah anën e errët të shtetit, përkatësisht se nga disa syresh është braktisur misioni për të mbrojtur qytetarët e vet. Në këto rrethana duket se po zë fill një filozofi tjetër, një devizë që tregon stërkeqjen e shtetit: monstrum contra humanitatem fit regimen, regjimi bëhet përbindësh për njerëzimin.

*

Edhe në këto rrethana tepër të errëta  dhe një klime dramatike për botën, me kapacitetin luftë-shkaktues në Ballkan si gjithherë edhe tash luan vetëm Serbia.

Në fillim të shekullit XX, ajo ka qenë iniciatore e dy Luftërave Ballkanike, grabitqare, me synim kryesor copëtimin e gllabërimin e atdheut të shqiptarëve dhe pengimin e  shtetbërjes së Shqipërisë në prag dhe menjëherë pas pavarësisë nga Perandoria Otomane.

Si datë e fillimit të Luftës së Parë Botërore merret 28 korriku 1914, pikërisht dita kur një serb bëri atentat ndaj princ Franc Ferdinandit në Sarajevë, akt ky që nxiti një luftë botërore e cila ndodhi për herë të parë në histori. Sigurisht, kushtet e rrethanat ishin të gatshme sa pritej vetëm një shtysë për të marrë flakë e hov çmendurak makina e vdekjes.

Dhe në fund të të njëjtit shekull, qe Serbia ajo që bëri luftëra të përgjakshme kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Për të ndalur revanin agresor të Serbisë, lufta e saj kundër Kosovës solli mbrojtjen euroatlantike, duke intervenuar NATO kundër forcave agresore të Serbisë, për t’i dhënë fund etnocidit në Evropë.

Patologjike në substancën e saj, politikat shoviniste serbe edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të jenë gjenerues krizash, tensionesh, konfliktesh e luftënixtjesh.

*

Perëndimi përgjithësisht e sidomos SHBA di më mirë se kushdo tjetër, dhe shumë më tepër e shumë të tjera, për Serbinë. Shumë më keq do të ishte po qe se Serbia do të pozicionohet në gjeopolitikën agresore ruse, sepse kështu do të përçahej uniteti evropian, duke u futur në zonën e brendshme të BE një aleat pro-rus. Prandaj, strategjia e SHBA është për ta amortizuar këtë objektiv, për ta bërë gradualisht të pozicionohet në gjeopolitikën euroatlantike.

I vetëdijshëm për këtë rrethanë, shovinizmi i Serbisë e shfrytëzon gjithanshëm dhe në të gjitha drejtimet, kokëtin hapur e fshehur me Rusinë, kokëtin me BE, kokëtin edhe me SHBA, por edhe me Kinën; duke u munduar të përfitojë gjithkah.  Në këtë linjë, për të treguar dhe një mundësi destruktive tjetër të Serbisë, ministri i brendshëm Vulin, i sanksionuar së fundmi me “non-grata” nga SHBA, në emër të Partisë Socialiste, ka deponuar kërkesën në Kuvend që Serbia t’i bashkëngjitet BRICS bllokut ekonomiko-tregtar e financiar anti-SHBA.

Çështjen e minoritetit serb të Kosovës, Vuçiq e ka instrumentalizuar aq shumë, sa realisht po e mban peng e të vetë-izoluar në një shtet që është aq i hapur ndaj minoriteteve për të drejta, duke e privuar nga shfrytëzimi i tyre në shërbim të gjeopolitikës luftënxitëse në rajon dhe për të mbajtur pushtetin në Serbi.

*

Kosova nuk e ka asnjë nga arsyet kundër gjeopolitikës euroatlantike që i ka Serbia. Madje i ka krejt të kundërta: i ka reale, të vërteta dhe jetike. Nuk ka asnjë opsion tjetër, dhe në këtë mijëvjeçar – as që i duhet edhe sikur të kishte. Sepse ajo është bërë, dhe po mbahet, shtet falë vendeve euroatlantike, para se gjithash SHBA.

Shprehur me gjuhën e rilindësve shqiptarë do të mund të thuhej se Perëndimi është rruga kombëtare. Për shqiptarët në përgjithësi e sidomos për Kosovën: SHBA janë shpëtimtari, BE është shtëpia e pa alternative, NATO është përmasa e sigurisë ekzistenciale.

Kushdo që të jetë në pushtet, cilado qoftë parti politike, sjellja ndaj aleatëve euroatlantikë, e në këtë kuadër sidomos me SHBA, duhet të jetë ngushtësisht bashkëpunuese dhe bashkërenduese në gjithçka dhe për gjithçka. Kjo është rruga e vetme për shqiptarët, të tjerat janë lajthitje. Ky është amaneti gjeopolitik shqiptar i filozofisë politike famëmadhe të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Kosova me Perëndimin ka interes jetik, dhe duhet t’i inkorporoj interesat e saja natyrshëm në gjeostrategjinë e përbashkët. Jo vetëm me fjalë, por mbi të gjitha – me besnikëri, dinjitetshëm, pa asnjë hile, me korrektësi dhe me sinkronizim, sjelljet, qëndrimet, masat, reagimet dhe veprimet. Çdo veprim tjetër, para se gjithash dhe mbi të gjithat, sjellë dëme për Kosovën, madje shumë të mëdha.

*

Kosovës i ngjau pikërisht kjo, diçka që në asnjë mënyrë nuk do të duhej t’i ndodhte: një flakaresh nga SHBA-BE.

Mos-sinkronizimi me SHBA dhe BE, mosdëgjimi dhe refuzimi për t’u bashkërenduar i Qeverisë Kurti gjatë majit e qershorit, krijoi tensione në veri, që dhuna në terren i dha ca goditje gjeopolitikës së Perëndimit në vendin për të cilin kishte kontribuar më së shumti për ta shpëtuar nga shfarosja. Këtu duhet kërkuar përmbysja e kredibilitetit të Kosovës te Perëndimi. Për këtë, Kosovës iu vunë sanksione nga SHBA dhe BE.

Absurde, por e vërtetë.

*

Ka gjasa që Kryeministri në mos dëgjueshmërinë e tij të ketë edhe një motiv më të thellë: ai që e kishte ndezur flakë Kuvendin e Kosovës duke ngulmuar se “Asociacioni nuk kalon”, po flitet se në Marrëveshjen e Ohrit e ka kaluar autonominë.

Dhe prapëseprapë Kosova është humbëse kundrejt Perëndimit, duke u shndërruar në dele të zezë në perceptim të vendeve euroatlantike.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Kramon e tha: “Nëse Kosova dëshiron të behet  një lojtare e rëndësishme  në mesin e komunitetit ndërkombëtar, atëherë duhet ta dëshmojë fillimisht se është lojtare kredibile, por këtë nuk është duke e dëshmuar”. Ajo ishte shumë dashamirëse, duke treguar se ku ndodhet realisht në sytë euroatlantike, por edhe botërore, perceptimi i Kosovës. Se Qeveria nuk po di të arrijë atë që synon, dhe madje po arrin efekte të kundërta

*

Duke qenë se konstelacionet e Kosovës lidhen me Serbinë dhe me vendet euroatlantike, para se gjithash me SHBA, një krahasim nga zhvillimet e fundit mund të tregojë gjendjet.

Kryeministri Kurti, më 29 gusht, për gazetën greke “To Vima” u shpreh: “SHBA është një aleat kyç për ne. Ne do t’u jemi përgjithmonë mirënjohës për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe për njohjet që morëm pas pavarësisë. Unë besoj se qeveria jonë ka vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme për të ruajtur demokracinë dhe rendin dhe ligjin në vend. Ne jemi plotësisht dakord me SHBA-në dhe BE-në për sa i përket vlerave dhe synimeve. Por në politikën e brendshme të Kosovës ndonjëherë kemi dallime në strategji dhe taktika.“

Kosova, nga një vend i mbështetur me dekada nga SHBA, ka rrëshqitur, në këto vitet e fundit (2021-2023) në drejtim të kundërt sa të shpërfaqë “ndonjëherë dallime në strategji dhe taktika” me SHBA e kështu edhe me gjeopolitikën euroatlantike. Për këtë, Kosovës u ndëshkua me masa, për t’ia mësuar sjelljen e “lojtarit të ekipit”.

Më 31 gusht, ambasadori Marko Gjuriq shprehet:  “Serbia është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara në një numër çështjesh strategjike – jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime. Ne duam që bashkëpunimi të jetë edhe më i mirë në të ardhmen, dhe jemi të përkushtuar të punojmë metodikisht në këtë – këto ishin mesazhet e palës serbe që kisha kënaqësinë t’ia adresoja Shkëlqesisë së Tij, Dereck Collet, këshilltar i Departamentit të Shtetit, i cili, i shoqëruar nga kolegët e tij, vizitoi Ambasadën serbe në Serbi, afër Shtëpisë së Bardhë”.

Serbia çon mesazhe për ndryshim kursi, duke e cilësuar veten partner me SHBA “për një numër çështjesh strategjike” dhe shpreh vullnet “që bashkëpunimi të jetë edhe më i mirë në të ardhmen”, madje “të përkushtuar metodikisht” në gjeopolitikën euroatlantike. Nga një vend i ndëshkuar botërisht dhe i bombarduar dikur nga NATO, e pastaj për dekada tensionshkaktuese në rajon, Serbia tash po i thotë SHBA se është e gatshme të ndryshojë qasje. Tjetër është se sa kjo është reale dhe e sinqertë, që jo rrallë, me planifikim të stërholluar, ka deklaruar gjëra sinkronizuese, kurse ka vepruar me diskrepancë dhe madje minuese dhe kundërvepruese. Por po duket se SHBA po e merr këtë seriozisht si asnjëherë më parë.

Thënë përmbledhtas, rreshtimet gjeopolitike duket se po ndërrojnë kah, me një përmirësim të pozicionit të Serbisë, kurse me një përkeqësim të pozicionit të Kosovës..

*

Një problem që del nga koncepti i shpalosur nga Kurti kërkon vëmendje.

Mospajtimet me SHBA Kryeministri i cilëson se  kanë të bëjnë me “politikën e brendshme të Kosovës”. Nëse këtë njëmend e mendon, atëherë ai ka probleme me konceptet bazike të politikës. Veprimet që lidhen me minoritetin serb nuk janë thjesht dhe vetëm, ose ekskluzivisht vetëm, çështje të brendshme politike, për shembull, sikurse është vendimi i qeverisë Kurti për faljen e 100€ të tatimit në pronë për qytetarët. Ndonëse ajo formalisht është politikë e brendshme, faktikisht, për shkak se në veri ka të bëjë me çështjen e sigurisë, ajo është edhe politikë ndërshtetërore, rajonale dhe politikë e jashtme, të ndërthurura që të gjitha, që edhe reflekton edhe drejtpërdrejt prek skajet e shtrira në rajon të gjeopolitikës preventuese dhe asaj agresore.

Si rrjedhojë e një “politike të brendshme”, serbët krijuan atmosferën për protesta, që eskaluan në sulme ndaj KFOR-it, respektivisht NATO-s. Kosova ra në kurthin politik që e kurdisi Serbia, dhe për shkak të mos bashkërendimit me SHBA dhe BE, thuajse implikoi gjeopolitikat. Nga kjo duhet të nxirret mësimi urgjent: kursi gjeopolitik i Kosovës të rikalibrohet e të vihet në binarët euroatlantikë.

*

Nga e tërë kjo sa u tha, si përfundim, mund të kuptohet se po ndodhin disa konvertime gjeopolitike që po shpërfaqen në rolet midis Kosovës dhe Serbisë.

Serbia po tregon shenja të partneritetit me SHBA, që, nëse është e vërtetë, do të ishte fatmirësi për rajonin, sepse shovinizmi serb nuk do të mundet më të kalërojë si deri tash në Ballkan.

Në këtë ndërrim kursi të Serbisë, Kosova mundet të kontribuojë vetëm duke u sinkronizuar deri në imtësi me SHBA, që ndaj veprimeve tensionuese, nëse shfaqen, në veri të jetë amortizuese.

Veprimi “nganjëherë me dallime” në “strategji e taktika” me SHBA është rrugë i gabuar që e defaktorizon Kosovën, gjë që duhet braktisur menjëherë. E vetmja mënyrë për t’u faktorizuar Kosova është të tregohet se mund t’i besohet në çdo rrethanë, e këtë mund ta arrijë përmes  rrugës së vet fatlume në gjeopolitikën Perëndimore, pra duke u treguar aleate besnike, bashkëpunuese, korrekte, e sinqertë, e hapur, konstruktive dhe të  luajë si “pjesëtar i ekipit” me tërë përkushtimin, në dakordancë me SHBA, në lojën e madhe të sigurisë e të paqes.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas seancave stërvitore në palestër dhe videoanalizave të kundërshtarit, Përfaqësuesja…