Kurti: 1 tetori i vitit 1997 nuk mund të vazhdonte njësoj

01 tetor 2024 | 15:20

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 27-vjetorin e protestës së Lëvizjes Studentore të vitit 1997.

Ai ka shkruar në “Facebook” se 1 tetori ishte data kur sipas traditës universitare fillonte viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës.

“Që nga themelimi i UP-së, çdo vit, çdo 1 tetor. Por nga viti 1990/’91, kur studentët dhe profesorët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës u përjashtuan prej hapësirave universitare nga regjimi i Serbisë që po instalonte apartheidin në Kosovë, 1 tetori i gjashtë viteve pasuese, i gjente studentët dhe profesorët nëpër shtëpi e lokale private të përshtatura si klasë dhe zyra universitare”.

“1 tetori i vitit 1997 nuk mund të vazhdonte njësoj. Andaj nga dita e parë e vitit akademik, studentë dhe profesorë bashkë, e kthyen 1 tetorin në ditë të parë të një vale protestash studentore që u shndërruan në protesta edhe popullore. Më 1 tetor 1997, mijëra studentë, profesorë dhe qytetarë të Kosovës, iu bashkuan thirrjes së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP) për protesta, për lirimin e hapësirave universitare, për barazi e pavarësi, për liri dhe demokratizim”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, atë ditë, studentët, profesorët që i kishin në krah të prirë nga Rektori Ejup Statovci dhe mijëra qytetarë që ishin bashkuar, marshuan nga lagjja Velania e Prishtinës drejt qendrës së qytetit e për në kampusin e UP-së.

“Por kordonet e ngjeshura me njësite policore dhe forca të sigurimit të Serbisë, reaguan brutalisht duke e shtypur protestën dhe rrahur e arrestuar protestuesit. E tërë kjo ndodhi para syve të kamerave dhe fotoaparateve të dhjetëra gazetarëve e mediave vendore dhe ndërkombëtare. Bota pa dhe mësoi për shtypjen e egër të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Serbisë. Frika nga figura mitike e policit serb u mposht. Ditët e regjimit të dhunshëm dhe të paligjshëm të Serbisë në Kosovë, nisën të numroheshin së prapthi”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se pas protestës së 1 tetorit 1997, u shtrua rruga që në muajt pasues, të organizohen edhe të tjera protesta nga lëvizja studentore e UP-së. “Dy muaj më pas, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, doli publikisht, duke patur në radhët e saj edhe shumë studentë protestues të UP-së. Pesë muaj më vonë, lufta në Kosovë mori drejtim të pakthyeshëm, deri në qershor të vitit 1999, kur Kosova u çlirua nga Serbia pushtuese. 1 tetori, nga sivjet është caktuar edhe me statutin e ri të Universitetit të Prishtinës, si Dita e Studentëve. Sot, më 1 tetor 2024, në 27 vjetorin e protestës së 1 tetorit 1997, po e kujtojmë këtë ngjarje historike edhe me këtë album me fotografi e materiale të kohës. Me ndjenja të thella nderimi dhe mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit në protestën e 1 tetorit 1997, nëpër rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës ku protestuan studentë e profesorë bashkë, në rrugëtimin e drejtë të popullit tonë për liri!”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luis Hamilton nuk është tipi i njeriut që fsheh vështirësitë…