Kurti: Më 24 mars nisi kushtrimi i lirisë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti së bashku me disa anëtarë tjerë të partisë, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan me rastin e 20 vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.
Ai ka thënë së në Gllogjan më 24 mars të vitit 1998, nisi kushtrimi i lirisë dhe lufta çlirimtare në Dukagjin.
Kurti ka thënë sot kujtojmë me nderim e respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
“Toka e Kosovës përveçse e ujitur me djersën e bujqve dhe punëtorëve është edhe e larë me gjakun e dëshmorëve. Ashtu sikurse dikur që çlirimi nisi prej nesh e nga brenda e më pas u ndihmua prej jashtë e nga të tjerët njësoj edhe sot zhvillimi duhet të fillojë prej nesh e nga brenda që të ndihmohet prej të tjerëve e nga jashtë”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu ka kujtuar dhe ndihme ne NATO-së, e cila më 24 mars të vitit 1999, nisi bombardimet ndaj forcave policore e ushtarake të Serbisë.