Kurti: 25-vjetori i padisë së Aleksandër Vuçiqit kundër Haqif dhe Haki Mulliqit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot janë bërë 25 vjet prej kur Aleksandër Vuçiq, kishte ushtruar padi kundër redaktorit të revistës “Kombi”, Haqif Mulliqi dhe botuesit Haki Mulliqi.
Kurti ka përmendur se në atë kohë Vuçiqi ishte ministër i Sllobodan Millosheviqit për informim.
“12 mars 1999, Ministri i Millosheviqit për Informim, Aleksandër Vuçiq, ushtron padi kundër revistës ‘Kombi’ dhe redaktorit përgjegjës, Haqif Mulliqi e botuesit, Haki Mulliqi, për shkelje të Ligjit të tij diskriminues mbi informimin publik. E ky ligj impononte të dëgjuarit e lëndës nga gjykata brenda 24 orësh, përfundim të lëndës brenda 24 orësh, e shpesh mbaronte edhe me konfiskim të pronës”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Kryeministri mes tjerash ka kujtuar një deklaratë të dhënë nga Vuçiq më 29 dhjetor 1998, i cili deklaronte: “Shqiptarët do ta ndryshojnë politikën e tyre editoriale, por këtë nuk e dinë ende”
“Padia e tij gjyqësore ndaj vëllezërve Haqif e Haki Mulliqi ishte zyrtarizim i kërcënimit të tij publik ndaj shqiptarëve. Ndalohej fjala e lirë dhe zëri i shqiptarëve për liri, represioni i ushtruar ndër vite e dekada kulmoi me gjenocidin dhe spastrimin etnik gjatë viteve 1998-99. Informimi i lirë dhe i drejtë në ato vite përbente krim për ministrin e atëhershëm të informimit, Vuçiq. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë vazhdoi të mohohet edhe për dy dekada e gjysmë në vazhdim. Si president i Serbisë, Vuçiq më 5 dhjetor 2019 mohoi publikisht krimet e masakrat ndaj shqiptarëve, duke e cilësuar masakrën e Reçakut si fabrikim”, ka shkruar Kurti.
Tash si president, kryeministri Kurti ka deklaruar se Vuçiqi vazhdon t’i kontrollojë mediet.
“Ministri i Millosheviqit, tani president, vazhdon me kontrollin e ashpër ndaj mediave dhe ndalimin e çdo zëri të lirë në Serbi. Mbase: një herë ministër i informimit, përgjithmonë ministër i informimit”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë: