Kurti: 600 mijë euro për Onkologjinë, investim substancial
600 mijë euro është kostoja e renovimit të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Bashkë me renovimin është shtuar edhe numri i shtretërve.
Në ceremoninë e përurimit të renovimeve të kësaj klinike, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Me këtë rast, kryeministri Kurti, ka thënë se janë bërë renovime substanciale prej rreth 600 mijë eurosh në këtë klinikë dhe se krahas renovimeve është shtuar edhe buxheti për blerjen e barnave.
“Kemi një investim substancial prej 600 mijë euro që e ka transformuar në mënyrë fort domethënëse për mjekët, infermierët, stafin mbështetës që janë gjithsej 70, por para së gjithash për pacientët. I kanë pasur 45 shterët e tash i kanë 60 shtretër. Dhe së shpejti do të jenë 110. Me aksliratorin e ri të cilin e kemi instaluar, lista e pritjes është zero. Ky investim kap shifrën 1 milion e 444 mijë euro. Unë jam i lumtur që mora vesh se procesi i dhënies së vaksinës HPV-së i sëmundjes së kancerit të mitrës është duke shkuar mirë, lista esenciale e barnave është zgjedhuar dhe se buxheti është shtuar nga 24 milionë euro në 60 milion euro. Në Kosovë qytetarët e Republikës blejnë 120 milionë euro barna ku gjysmën e blejnë ata e gjysmën tjetër e paguan shteti”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është shumë i lumtur pasi pacientët marrin shërbime pa listë të pritjes.
“Shumë i lumtur e i gëzuar që një Klinikë kaq vitale për një grup të pacientëve tash e tutje do të marrin shërbime pa listë të pritjes. Falënderoj stafin e Klinikës së Onkologjisë të cilët kanë ndihmuar të rinovimin rrënjësor. Uroj të ketë më pak sëmundje të tilla. Rrallë kund edhe në rajon i kanë mundësitë të marrin shërbime të tilla modern”, ka thënë Vitia.