Kurti: Adem Jashari ka hisen më të madhe për lirinë e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvendin e Kosovës, me rastin e Epopesë së UÇK-së.
Kurti ka theksuar se Adem Jashari ka hisen më të madhe në lirinë e Kosovës.
“Çdo vit me 5 apo 6 mars, sikur në asnjë tjetër rast apo figurë, Kuvendi i Kosovës mbledhet në seancë të veçantë për ta kujtuar betejën e rezistencën e Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz. Kjo tashmë është praktikë zyrtare institucionale e konsolidueshme. Në 1-vjetorin e kësaj qëndrese më 6 mars 1999, trupa artistike Hamëz Jashari e UÇK-së e ideoi shënimin e Epopesë së UÇK-së. Manifestimi që ka nisur nga marsi 1999, dhe kur e mori emrin Epopeja, ndër vite ka zënë vend brenda institucioneve të Kosovës. Historia e luftës së armatosur të Adem Jasharit dhe gjithë atyre që luftuan bashkë me ta e pas tyre në rrugën e çlirimit, përmbledh një trashëgimi të madhe politike e kulturore nga e cila është çliruar Kosova”.
“Vërtetë rezistenca e Jasharëve është unike në vetvete, por nuk është pa referenca në historinë e shqiptarëve. Rezistenca e Adem Jasharit e UÇK-së është produkt i kryengritjes e luftëtarëve vullnetarë që luftuan për mbrojtjen e trevave shqiptare në Lidhjen e Prizrenit. Rezistencë e asaj kulture që solli kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Është e njëjta kulturë që e ngjizi lëvizjen e Azem Bejtës e Shaban Polluzhës”, ka thënë Kurti, duke shtuar se figura e Adem Jasharit ka hise të madhe.
“Në një kohë kur dukej se ishte e pamundur të shkëputeshe nga kthetrat e regjimit të Serbisë dhe kur besohej se kishte përfunduar epoka e shtetndërtimit në Evropë, u krijuan kushtet për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe pavarësinë. Sot liria është bërë paradigma bazë e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne”.
“Vjet e shënuam 25-vjetorin, e sivjet do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke kujtuar betejat e UÇK-së, masakrat dhe spastrimin etnik të kryer nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë. Në këtë histori të çlirimit e shtendërtimit, figura e Adem Jasharit ka një hise shumë të madhe. Në të vërtetë është hisja më e madhe që një njeri mund ta ketë. Hisja e një njeriu që brenda kohës së tij, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij. Liria ishte kushti i jetës, e që u bë kushti i vdekjes për Adem Jasharin”, është shprehur Kurti.