Kurti akuzohet se në Bruksel i shpalli ‘kriminelë’ ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë
Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti për deklaratën e mbrëmshme në Bruksel ku ka thënë se në rajon ka ende kriminelë lufte që janë kryetarë partish.
Me anë të një statusi në llogarinë e vet në “Facebook”, Behramaj ka akuzuar Kurtin se ai e ka pasur fjalën për krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
“Në mes të natës, Albin Kurti i paska shpallur kriminelë të luftës ish-udhëheqësit e UÇK-së. Ende pa filluar gjykimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët i kanë nga 3 dekada kontribut për lirinë tonë, Kurti si kryeministër i paska barazuar në Bruksel me shërbëtorët e regjimit të Millosheviqit. Kryeministër i kujt është ky?!”, ka shkruar Behramaj.
Postimi i plotë i Behramajt:
Në mes të natës, Albin Kurti i paska shpallur kriminelë të luftës ish-udhëheqësit e UÇK-së. Ende pa filluar gjykimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët i kanë nga 3 dekada kontribut për lirinë tonë, Kurti si kryeministër i paska barazuar në Bruksel me shërbëtorët e regjimit të Millosheviqit. Kryeministër i kujt është ky?!
Ai paska konstatuar tërthorazi se Kosova e ka kryer detyrimin për dërgimin e kriminelëve të luftës në burg, ndonëse i paskan ngelur merak edhe disa kryetarë partish, sepse, sipas tij, edhe më tej paska kriminelë të luftës, që dominojnë në institucione dhe parti politike.
Albin Kurti po ballafaqohet me paaftësinë e tij si kryeministër dhe tash po mundohet të gjejë shpëtim aty ku ndjehet i pakonkurrencë: në sulmet e ulëta politike!
Edhe Prokurori i Specializuar është më i kujdesshëm se Kurti. Dorëheqja e tij do ta shpëtonte Kosovën nga turpërimi i mëtejmë në arenën ndërkombëtare!