Kurti aludon se Kosovës po i kërkohet ta ndryshojë Kushtetutën për asociacionin (video)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën deri në orët e vona ka darkuar me emisarin sllovak, Miroslav Lajçak, i cili është rikthyer për të dytën herë në Prishtinë meqë në takimin e fundit ishte ndarë i pakënaqur me Kurtin.
Pas këtij takimi, më një njoftim të publikuar pas mesnatës, Lajçaku ka treguar për bisedën që ka pasur me Kurtin në darkën ku i pranishëm ka qenë edhe kryengociatori Besnik Bislimi dhe ka thënë se ishin pajtuar që të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen.
Kjo është interpretuar se Kurti i kishte dhënë një “po” Lajçakut për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë temë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe të enjten para gazetarëve, duke lënë të kuptohet se Kosovës po i kërkohet themelimi i një asociacioni njëetnik e që një gjë e tillë nënkupton se Kosovës po i kërkohet ta ndryshojë Kushtetutën.
Kurti ka thënë se para 15 vitesh ishte kërkuar që Kosova ta shpallte pavarësinë si shtet multietnik, derisa tashmë po kërkojnë themelimin e një asociacioni një etnik.
“Nuk e duron kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës asociacionin njëetik. Të gjithë serbët në Kosovë duhet të jenë dhe do të jenë të mbrojtur, t’i kenë shanset për zhvillim e për mirëqenie, t’i kenë të drejtat e garantuara me ligj dhe me kushtetutë, mirëpo asociacionet e komunave që janë njësi territoriale, jo vetëm administrative, mbi baza etnike nuk duron kjo kushtetutë. Ata që kërkojnë asociacion një etnik, ata kërkojnë ndryshim të kushtetutës së Kosovës e unë besoj që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndryshohet kushtetuta e Serbisë”, ka thënë Kurti.
Miroslav Lajçak gjatë një vizite në Beograd më 15 tetor 2020 kishte thënë se për procese të mëdha është e logjikshme që duhet të ndryshojë Kushtetuta. Emisari sllovak kishte thënë se Kushtetuta s’është Bibël.