Kurti, ambasadorit amerikan: Do të jem kryeministër i të gjithë qytetarët të Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi kanë pritur në takim ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili ka qenë i shoqëruar nga këshilltarja politike, Jessica Long dhe zyrtarja politike, Mia Ter Har.
Në njoftimin e Vetëvendosjes për medie është thënë se në këtë takim miqësor ambasadori Kosnett ka shprehur kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe ka uruar kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve.
Ambasadori Kosnett ka treguar interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.
Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka siguruar ambasadorin Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ai e ka njoftuar ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.
Më tutje, Kurti ka thënë se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë-lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë.
Ndërsa në muajin e parë, Kurti ka thënë se nevojitet takim me Borrelin, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse sipas tij dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta.
Ai ka thënë se duhet paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre.
Kurti ka theksuar se nuk duhet të vonohen, por as nuk kanë arsye të nxitohen e të bëjnë gabime që mund t’i kushtojnë vendit.
Në fund të takimit, të dy Kurti e Kosnett kanë shprehur interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme.
Kujtojmë se në bazë të rezultateve paraprake të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
/Epoka e re/