Kurti ambasadorit italian i thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosej, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardim, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend.
Sipas një njoftimi të LV-së, temë e diskutimit ishte qeveria e pakicës parlamentare që është ende në pushtet në Kosovë si dhe për punën dhe kërkesat e forcave opozitare në vend në lidhje me situatën e krijuar.
Kurti ka shpjeguar se si Lëvizja Vetëvendosje i sheh zgjedhjet e parakohshme në vend si zgjidhje drejt një qeverie legjitime të shumicës për tema të rëndësishme ekonomike dhe sociale për vendin, pa mbetur peng, siç ka mbetur kjo qeveri, e temave të imponuara.
Në këtë njoftim bëhet me dije se u diskutua edhe për procesin e integrimit në BE në pritje të raportit të progresit për Kosovën që publikohet këtë javë.
Gjithashtu në këtë takim u trajtua edhe dialogu me Serbinë dhe tentativa për riaktualizimin e “Zajednicës”.
Në këtë pikë, Kurti ka theksuar edhe një herë nevojën për të nisur një dialog nga poshtë e për zhvillim me serbët që janë qytetarë të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh edhe faktin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e ka shpallur marrëveshjen për “Zajednicën” në shpërputhje me plot 23 nene të Kushtetutës.
/Epoka e re/