Kurti, ambasadorit të Francës: Dialogu matet me Mitrovicën
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në vend me theks të veçantë mbi dialogun Kosovë- Serbi.
Në këtë takim, Kurti ka paraqitur edhe njëherë qëndrimin e Vetëvendosjes karshi dialogut të filluar nga presidenti i Kosovës, që sipas tij është pa mandat nga Kuvendi.
“Ne duhet që fillimisht ta shqyrtojmë dialogun gjashtëvjeçar paraprak që ta dimë se çfarë u bë dhe ku jemi. Pastaj, të përgatitemi mirë: të formulojmë bashkërisht në Kuvend qëllimet tona dhe kërkesat ndaj Serbisë, dhe të merremi vesh për parimet dhe kornizën e dialogut të ri. Ndërkaq, ekipi negociator me strategji e udhëheqës të vetin vjen vetëm më pas”, ka thënë Kurti, duke theksuar se “çdo dialog e marrëveshje matet në Mitrovicë”.
Kurti dhe ambasadori francez kanë shprehur interesimin për kontakte dhe takime të vazhdueshme.
/Epoka e re/