Kurti: Angazhimi i grave dhe vajzave të Kosovës nuk ka munguar as për shtetndërtimin e vendit

22 tetor 2022 | 14:15

Në punimet e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se gratë janë pjesë kyçe e garancisë së sigurisë, duke shtuar se dëshiron që në të ardhmen të shohë pjesëmarrje më të madhe të grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Është kënaqësi që jam sot mes jush, në hapje të Forumit Gratë, Paqja dhe Siguria. Është kënaqësi që jemi bashkë në këtë temë kaq të rëndësishme. ‘Gratë, paqja dhe siguria’, nuk është veçse temë por edhe mision. Është si trinom i pandashëm. Shpesh është dukur që thirrja për siguri i drejtohet burrave së pari. Çdo ditë e më shumë po shihet se nuk është e saktë. Gratë i përgjigjen edhe thirrjeve emergjente edhe thirrjeve të përditshme për paqe e siguri. Sikur që është vetë përpjekja e jetës së tyre. Sepse gratë janë më të interesuarat për paqen dhe politikat e sigurisë. Ndoshta se ato janë më të kërcënuarat nga mungesa e këtyre dyjave. Andaj gati secila bëhet gardiane e kësaj qetësie të kërkuar. Siguri për gratë dhe burrat kudo. Paqe për të gjithë anëtarët e shoqërisë”.

“Angazhimi i grave dhe vajzave të Kosovës nuk ka munguar as për shtetndërtim dhe nuk mungon në mbajtjen dhe funksionimin e shtetit tonë çdo ditë. Ato kanë mbajtur armë, bukë, laps, mikrofona dhe megafona në dorë me të vetmen kërkesë. Paqe, por paqe për të gjithë. Për veten dhe për fëmijët e tyre. Për kombin dhe për të ardhmen. Dhe historitë e ngjashme kanë plot shtete të përcaktuara drejt vlerave demokratike siç është edhe shteti ynë” , ka deklaruar Kurti.

Sipas të dhënave, 11 për qind e Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëhet nga gratë.

Sipas agjendës zyrtare, Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.

Në këtë Forum, po marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës Kisha paralajmëruar…