Kurti: Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot bota humbi shkrimtarin e saj më të madh, Ismail Kadare.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se Kadare mbylli sot sytë përgjithmonë.
“Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë”, ka shkruar kryeministri.
Postimi i plotë i tij:
Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë.
Ngushëllime të gjithëve.