Kurti ankohet se pandemia Covid-19 ia konsumoi një pjesë të kohës së qeverisjes
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se edhe pse pandemia e COVID-19 duket të jetë një kujtim i largët, sipas tij, ajo ka zënë një pjesë të konsiderueshme të kohës së qeverisjes së tyre
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa vazhdoi me prezantimin e punëve gjatë qeverisjes së tij dyvjeçare e gjysmë, për sektorin e shëndetësisë ka theksuar se menaxhimi dhe tejkalimi i pandemisë Covid-19 ia ka harxhuar një kohë të konsiderueshme.
Në veçanti, Kurti ka theksuar duke filluar nga një situatë ku në Kosovë nuk ishte asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë për vaksina kundër COVID-19, Qeveria ka siguruar 2.2 milionë vaksina dhe kanë vaksinuar mbi 60% të popullatës së rritur.
Po ashtu, siç ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook, Qeveria ka investuar shumë në sektorin e shëndetësisë.
“Prej atëherë, kemi ndarë mbi 100 milionë euro më shumë për sektorin e shëndetësisë, 60 milionë për listën e re të barnave esenciale dhe 6.5 milionë euro më shumë për barna me sëmundje të ralla. Sepse shëndetësia, në radhë të parë, ka nevojë për investime që sigurojnë shërbime”, ka shkruar Kurti.
Në deklaratën e tij, Kurti ka thënë se ka dyfishuar kapacitetin e inspektorëve farmaceutikë dhe shëndetësorë për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e barnave dhe shërbimeve shëndetësore.
“Në Klinikën e Onkologjisë nuk ka më listë të pritjes për terapi me rrezatim. Atë e kemi pajisur me një akselerator të ri në vlerën prej 1.4 milionë euro, të cilave ia kemi shtuar edhe mbi gjysmë milionë euro për shtim të kapaciteteve spitalore. Në Klinikën e Neurokirugjisë u investua në pajisje me vlerë 1.7 milionë euro. Për Klinikën e Gjinekologjisë janë dedikuar 1.5 milionë”, ka shkruar tutje Kurti.
Sipas tij, janë regjistruar mbi 65 mijë vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në tre vjeç dhe u janë dhuruar komunave 29 vetura të reja për t’i lehtësuar vizitat mjekësore në shtëpi.
Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se për t’i bërë barnat më të përballueshme për qytetarët dhe për t’i mbrojtur ata nga abuzimet me çmime, është duke u hartuar Ligji për Çmimin e Produkteve Medicinale.
Në fund të deklaratës, kryeministri Kurti ka theksuar që shëndetësia do të vazhdojë të jetë një prioritet në buxhetin e vitit të ardhshëm, me një ndarje prej 340 milionë eurosh, përfshirë edhe grantin për komunat dhe rritjen e buxhetit për Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë dhe Kujdesit të Urgjencës Klinike (ShSKUK).