Kurti: Arsimi cilësor është çelës i zhvillimit të qëndrueshëm

28 dhjetor 2021 | 11:51

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.

Në seminarin e dytë shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në Universitetin e Prishtinës, ai ka folur për rëndësinë e arsimit cilësor, digjitalizimit në arsim dhe në shërbime publike si dhe hulumtimin dhe inovacionin.

Ai ka thënë se digjitalizimin në arsim e sheh si komponent kyç të reformës në këtë sektor, me ç‘rast përmendi drejtimet kryesore të digjitalizimit në kuadër të planit strategjik të arsimit si krijimi dhe funksionalizimi i një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar, prodhimin e materialeve digjitale dhe krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin dhe përdorimin e teknologjisë në arsim.

“Përpos përmirësimin dhe avancimin e sistemit arsimor, nëpërmjet transformimit digjital dhe e-qeverisjes, ne po synojmë rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimin e të gjitha shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka deklaruar se progresi i qëndrueshëm është ai i cili i bën bashkë demokracinë dhe shkencën.

Më tej, ai ka deklaruar se për këtë transformim kërkohet një angazhim i përbashkët dhe i koordinuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

“Andaj ky seminar është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku, edhe me hulumtuesit tanë në diasporë, për zhvillimin e aftësive digjitale, promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, si  domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme”, ka deklaruar Kurti.

Në kuadër të këtij seminari prezantuan profesor dhe shkencëtarë të dalluar, bashkatdhetarë tanë dhe shkencëtarë nga FIEK.

Tematikat e prezantimeve ndërlidheshin me fushat e elektronikës, automatikës, robotikës, elektroenergjetikës, inxhinierisë kompjuterike dhe softuerike, teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, KEDS, ka njoftuar…