Kurti: Austria, partnere e palëkundur e Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Shoqatës së re të Miqësisë, Kosovë – Austri.
Kryeministri Kurti ka thënë se kjo është ngjarja e katërt në 10 ditët e fundit të këtij muaji ku në qendër të vëmendjes është bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu dhe pas pavarësimit të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash; nga zhvillimi ekonomik e deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit, bashkë me 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, shënuam edhe 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë kryeministri Kurti.
Sipas tij, Austria ka ofruar mbështetje ndër vite për Kosovën përmes ekspertëve duke ndihmuar në forcimin e institucioneve tona dhe promovimin e qeverisjes së mirë.
“Shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona kanë shënuar trend pozitiv. Vetëm në dy vitet e fundit (2020-2022), eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120 për qind, ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar, pra në vitin 2022 ishin dyfish më shumë sesa në vitin pararendës 2021. Megjithatë, partneriteti ynë me Austrinë është më shumë se thjesht një komoditet apo mall. Ai bazohet në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ne ndajmë një vizion për një Evropë paqësore, të begatë dhe të integruar, ku të gjithë kombet dhe popujt zhvillohen dhe janë të barabartë”, ka vlerësuar Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se nga sot themelimi i Shoqatës së re të miqësisë Kosovaro-Austriake “do të jetë një tjetër pikënisje për zgjerim të kontakteve dhe shumëzim të urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve, shteteve dhe bizneseve të të dy vendeve tona”.