Kurti: Avancimi i të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës

11 prill 2022 | 10:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka pritur në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Gjatë këtij takimi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare.

Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike, tha ai. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore”, ka thënë Kurti.

Ai më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Kurti ka theksuar se pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani.

“Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm” u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Javën e kaluar, Aleksandar Vuçiq fitoi mandatin e tij të…