Kurti avancon Mimoza Kusarin, që koordinohej me Radoiçiqin, nga vendi 18 në top 10-shen e VV-së
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar mbrëmë listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Në dhjetëshen e parë të listës është shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, kryetarja Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Kusari-Lila është ngritur për dhjetë vende në listën e VV-së për dallim prej zgjedhjeve të kaluara, kur emri i saj ndodhej në listë nën numrin 18.
Në këto zgjedhje Kusari-Lila do të garojë me numrin 8.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka qenë në qendër të kritikave pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku ajo komunikonte me kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Komunikime të tilla ishin publikuar edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit. Në kohën kur Kusari – Lila bisedoi me Radoiçiqin, ai ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.
Kryeministri Albin Kurti i kishte dalë në mbrojtje Kusari-lilës duke pretenduar për luftë hibride ndaj Qeverisë së tij.
“…Përshtypja ime është se tani do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, në veçanti kundër Qeverisë tonë, kundër Grupit tonë Parlamentar, dhe kryetares së Grupit tonë Parlamentar, e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasë sundim të ligjit, rend publik dhe integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, kishte thënë Kurti.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 9 shkurt 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se për certifikim në zgjedhje kanë aplikuar 28 subjekte politike. Sipas KQZ-së prej tyre janë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. /Reporteri.net/