
Kurti: Azem Bejtë Galica ishte luftëtar i madh për mbrojtjen e Kosovës
Me rastin e 95-vjetorit të rënies së Azem Bejtës, një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje (LV) i kryesuar nga lideri i saj, Albin Kurti, ka vizituar shpellën ku atëbotë ia fshehën trupin bashkëluftëtarët dhe ku për gjysmë shekulli preheshin eshtrat e Azem Bejtës.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se Azem Bejtë Galica ishte luftëtar i madh i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës.
Sipas tij, Drenica, Kosova dhe i gjithë populli shqiptar e kujtojnë me krenari gjersa në historinë tonë ai ndrit me kryengritjen e tij.
“Në fshatin Përçevë të Klinës ishim bashkë me aktivistët tanë të Qendrës sonë atje. Më pas vazhduam për në Galicë të Vushtrrisë ku ndodhet varri i prijësit të çetave guerile shqiptare i cili për 12 vjet rresht luftoi e rezistoi kundër forcave serbe të Nikola Pashiqit. Aty bëmë homazhe e vendosëm lule të freskëta bashkë me aktivistë të Qendrave Vushtrri e Skenderaj. Azem Bejtë Galica ishte luftëtar i madh i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës. Drenica, Kosova dhe i gjithë populli shqiptar e kujtojnë me krenari gjersa në historinë tonë ai ndrit me kryengritjen e tij”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/