Kurti: Baca Skendë ishte i vendosur për çlirim të popullit e bashkim të kombit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen Krasniqi për vdekjen e familjarit të tyre Skënder Krasniqit që ishte luftëtar i UÇK-së dhe oficer i TMK-së.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se baca Skendë ishte i vendosur në luftë dhe veprimtar në paqe, gjithnjë për çlirim të popullit e bashkim të kombit.
Kurti ka vlerësuar se Skënder Krasniqi, do të mbetet i paharruar jo vetëm në punë e aktivitet por edhe në biseda e ndeja.
“Oda në Carrallukë ishte e mbushur përplot me njerëz. Kishin ardhur për ngushëllime për vdekjen e Skënder Smajl Krasniqit. Ish luftëtarë të UÇK-së, ish të burgosur politikë, të gjithë veprimtarë të çështjes kombëtare. Njerëz që janë bashkë në idealin e lirisë e barazisë, por që kishin ardhur ndaras nga komuna anembanë Kosovës e vise të ndryshme shqiptare, ja ku u bënë bashkë në nderim të Skënderit. Para se të përshëndetem me djemtë e tij Albanin, Arbenin, Dardanin, Shkumbinin e Hazirin (e ku mungonte Muhameti që mbahet në burg në Idrizovë për rastin e montuar të Kumanovës), shkrova këto fjalë në librin përkujtimor: Baca Skendë ishte i vendosur në luftë dhe veprimtar në paqe, gjithnjë për çlirim të popullit e bashkim të kombit. Jo vetëm në punë e aktivitet por edhe në biseda e ndeja mbetet i paharrueshëm. Po, shpesh i zemëruar me gjendjen tonë shoqërore, me situatën politike, apo goditjet që pësonte në familje nga pushtetet, mirëpo asnjëherë i pikëlluar, i dëshpëruar apo i mërzitur. Lavdi veprës e jetës së këtij luftëtari të UÇK-së e oficeri të TMK-së!”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/