Kurti ballë për ballë me Sholc në Berlin, disa javë pas propozimit franko-gjerman
Kryeministri Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Kongresin e 30 jubilar të Partisë së Socialistëve Evropianë, me të cilin, sipas njoftimit të qeverisë, ka biseduar për çështjet aktuale dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Në njoftimin e qeverisë nuk janë dhënë më shumë detaje lidhur me takimin.
“Me Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, Kryeministri Kurti bisedoi për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për çështjet aktuale”, thuhet në komunikatën për mediat, raporton Gazeta Express.
Gjithashtu, bëhet e ditur se kryeministri në këtë kongres, ka uruar Stefan Löfven për pozitën e re si President i Partisë së Socialistëve Evropianë, kurse e ka falënderuar Sergei Stanischeë për kontributin e tij si President i deritanishëm i PSE.
Në njoftim janë dhënë edhe detaje për takime të tjera që Kurti i ka zhvilluar në Berlin. Me njërin prej liderëve të Partisë Social Demokrate gjermane, Lars Klingbeil, Kurti ka biseduar për vëmendjen e shtuar të Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Në takimin me z.Lars Klingbeil, bashkëdrejtues i Partisë Social Demokrate gjermane, u bisedua për vëmendjen e shtuar të Gjermanisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të Berlinit”, thuhet në njoftim.
Në përmbyllje, thuhet se kryeministri ka m arrë pjesë në darkën e liderëve, ku me një fjalë rasti u është drejtuar krerëve shtetëror, komisionerëve evropianë, udhëheqësve të partive dhe përfaqësuesve të tjerë pjesëmarrës.
“Në këtë kongres të partive socialdemokrate, u diskutua për politikat si përgjigje ndaj ndryshimeve në sigurinë ndërkombëtare, rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin, krizën e shkaktuar nga Covid, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale në Evropë”, thuhet në fund, shkruan GazetaExpress.
Kujtojmë se Kurtit i është dhënë një afat që t’i përgjigjet Macronit e Sholcit për propozimet që i sollën këshilltarët e tyre.
Kjo është konfirmuar nga Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili vendosi të lëshohet në disa detaje rreth iniciativës franko-gjermane për gjetjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi. Ai tha se i di të gjitha detajet, por u tregua i përmbajtur rreth asaj që përmbajnë propozimet.
I pyetur nëse Parisi e Berlini po angazhohen për një marrëveshje pa njohje, Bislimi ishte i shkurtër dhe nuk e përmendi “marrëveshjen me njohje në qendër”. “Për këtë duhet të flasin bartësit në momentin kur ata mendojnë se është koha e duhur për të folur”, ka thënë ai.