Kurti: Bashkëpunimi dhe stabiliteti afatgjatë në rajon, parime të politikës sonë të jashtme
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, e cila organizohet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.
Në edicionin e sivjetmë, që do të trajtojë temën “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë” kryeministri Kurti, i shoqëruara edhe nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.
Ai fillimisht uroi drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Diplomatike, Sabri Kiçmari dhe drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, Rene Schlee, për organizimin e këtij edicioni dhe falënderoi diplomatët që kanë udhëtuar distanca të gjata për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje.
“Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, janë parimet e politikës sonë të jashtme. Me besimin se nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale në mes diplomatëve tonë do të mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim në mes vendeve dhe qeverive tona”, u shpreh kryeministri Kurti.