Kurti: BE-ja e Vuçiqi e humbën shansin më 26 tetor, isha i gatshëm ta nënshkruajë Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një adresim para medieve, ka thënë të mërkurën se liderët e BE-së dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e kishin rastin më 26 tetor që ta merrnin nënshkrimin e tij për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja. Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draft-statuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia. Ata që në Bashkimin Evropian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan”, ka thënë Kurti.
Në konferencën për medie, Kurti po ashtu tha se ky vit ka qenë sfidues sidomos në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ai përmendi sulmin e një grupi të armatosur serbësh në Banjskë, ndaj policisë së Kosovës, ndërsa u përgjigj edhe nëse ka informacione për praninë e zyrtarëve të lartë shtetëror të Serbisë në veri, disa ditë para sulmit të 24 shtatorit. “Sa i përket ish-shefit të [Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit, BIA, Aleksandar] Vulin, nëse ka qenë para 24 shtatorit në veri të Kosovës, unë nuk mund ta konfirmoj një gjë të tillë, meqë për herë të parë po e dëgjoj sot. Pra, siç di unë kjo nuk është e vërtetë mirëpo ata që pretendojnë asisoj le t’i ofrojnë dëshmitë për informacion ndryshe”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë konferencës së përbashkët me Kurtin tha se “aleatët dhe partnerët tanë e kuptuar se [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe [presidenti rus, Vladimir] Putini janë të gatshëm për çdo eskalim, përfshirë edhe luftën”. “Si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar janë shtuar zërat që kritikojnë hapur institucionet e BE-së për qëndrime të gabuara në raport me Serbinë dhe mungesën e ndëshkimit për aktin e agresionit të hapur ndaj Kosovës. Qëndrimi i Kosovës në vazhdimësi ka qenë parimor, këmbëngulës dhe i guximshëm”, ka thënë Gërvalla.