Kurti bën homazhe në nder të jetës dhe veprës së Ahmet Brahimajt
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në nder të jetës dhe veprës së ish-balerinit dhe drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se Brahimaj ishte figura kryesore e baletit në Kosovë.
“Sot trupa e baletit e dha lamtumirën e fundit për Ahmet Brahimaj, figurën padyshim kryesore të baletit në Kosovë. Djem dhe vajza nga kjo trupë e dhanë lamtumirën e tyre në mënyrën më të mirë që një trupë artistike mund ta bëjë: Përmes performancës. Ata për disa minuta, para fotografisë së tij dhanë shfaqjen koreografike nën tingujt e Max Richter, rikompozimit të tij nga Katër Stinët e Vivaldit”, ka deklaruar Kurti.
Po ashtu, Kurti ka thënë se sot do t’i jepet lamtumira njeriut që ka dhënë kontribut në rindërtimin, frymëzimin dhe përparimin e baletit në Kosovë.
“Brahimaj ka qenë një ndër balerinët e parë të Kosovës nga brezi i parë, si dhe figura kryesore e rinisjes së baletit në vitin 2001. Ai fillimisht e ka mbajtur gjallë dhe më pas e ka ngritur baletin në nivel që të na bëjë krenarë në gjithë botën. Ngushëllime familjes, miqve, nxënësve dhe balerinëve të tij për këtë humbje të madhe për Kosovën”, është shprehur Kurti.